Stërvitje e përbashkët shqiptaro-britanike “Albanian Lion” (FOTO-LAJM)

Pëlqej
Në Rinas u zhvillua dje ceremonia për nisjen e stërvitjes së përbashkët shqiptaro-britanike “Albanian Lion”. Kjo stërvitje është e ndarë në dy faza, përkatësisht “Albanian Lion ‘14”, 30 gusht-16 shtator dhe “Dragon Hammer ‘14”, 16 shtator -17 tetor 2014.
Në këtë ceremoni, komandanti i Forcës Tokësore, gjeneralmajor Zyber Dushku, e vlerësoi këtë stërvitje si shumë të rëndësishme për shkëmbimin e eksperiencës së përbashkët mes dy palëve. Ai garantoi se FA do të vërë në dispozicion të gjithë infrastrukturën e nevojshme për realizimin e kësaj stërvitjeje.

Në fjalën e tij, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Nicholas Cannon u shpreh se “Forcat e Armatosura të Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë do të zhvillojnë serinë e katërt të stërvitjes “Luani Shqiptar”. Këto ushtrime mundësojnë njësitë e Forcave Ajrore, Detare dhe Tokësore të praktikojnë skenarë të ndryshëm duke mësuar nga përvoja e njëri-tjetrit”. Ambasadori Britanik shprehu mirënjohje për Ministrinë e Mbrojtjes dhe FA, që mundësuan përdorimin e objekteve të tyre të shkëlqyera trajnuese për ushtarët dhe marinarët. Ambasadori Cannon duke folur për zhvillimet e fundit të sigurisë në botë, gjeti rastin të falënderojë qeverinë shqiptare për kontributin e dhënë në operacionin e përbashkët në ndihmë të qeverisë së Irakut. Për ambasadorin Britanik ky është një shembull i shkëlqyer i solidaritetit të NATO.

Stërvitja “Albanian Lion ‘14” do të fokusohet në kryerjen e operacioneve të evakuimit të civilëve,“Non-Combatant Evacuation Operations”, nëpërmjet operacioneve detare, tokësore dhe ajrore. Në këtë stërvitje do të marrin pjesë rreth 600 trupa të cilët do të kryejnë demonstrime ushtarake në Bizë, Zall-Herr, në Kepin e Palit, Kuçovë, Pashaliman dhe Porto Palermo.

Trupat do të mbështeten nga deti me katër anije ushtarake. Ndërsa stërvitja “Dragon Hammer ‘14” do të zhvillohet në Bizë, me qëllim realizimin e skenarëve taktikë malor. Gjatë kësaj faze të stërvitjes do të shfrytëzohet baza e Kepit të Palit për bazë furnizimi logjistik, si dhe për largimin e trupave dhe automjeteve pjesëmarrëse në“Albanian Lion 2014”. /albeu.com/
Shtuar më 09/09/2014, ora 09:04
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori