Nis sot viti i ri shkollor 2013-2014, Nikolla uron nxënësit
Nis sot viti i ri shkollor 2013-2014. Rreth 600 mijë nxënës të arsimit 9-vjeçar dhe atij të mesëm do të ulen sot në bankat e shkollës për nisjen e vitit të ri shkollor. Pjesa më e madhe e tyre janë të regjistruar në arsimin bazë, ndërsa pjesa tjetër do të ndjekin shkollat e mesme të përgjithshme dhe ato profesionale.

Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla dhe ajo e kulturës Mirela Kumbaro vizituan sot Liceun Artistik ku uruan nxënësit për vitin e ri shkollor.

Në fjalën e saj ministrja e Arsimit Nikolla pasi uroi nxënësit për një vit shkollor të suksesshëm theksoi se ministria do të ndërmarrë politika të reja për arsimin.


“Erdhëm në Liceun Artistik për të uruar jo vetëm nxënësit, prindërit dhe mësuesit e kësaj shkolle, por të gjithë shkollave, një vit akademik të suksesshëm. Politika do të mbetet jashtë dyerve të shkollës por për arsimin do bëhet politika më e mirë që lidhet posaçërisht me promovimin e këtyre talenteve duke shtrirë edukimin artistik në moshën në më të vogël. Kemi program specifik për fëmijët e komunitetit rom,transport falas për ata fëmijë që kanë shkollën larg si dhe programe specifike për fëmijët në nevojë” është shprehur ministrja.

Vitin e kaluar shkollor numëroheshin rreth 385 mijë nxënës në arsimin bazë dhe 146 mijë në atë të mesëm, ndërsa mbi 36 mijë fëmijë ishin regjistruar në klasën e parë. /albeu.com/
Shtuar më 16/09/2013, ora 10:04
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori