Nis rindërtimin e Shkollës 9-vjeçare "Kosova" në Tiranë
Brenda një viti, 360 nxënës nga klasa e I-rë deri në klasën e 9-të do të kenë kushte moderne për të studiuar.

Në nisjen e punimeve për ndërtimin e shkollës, që përkon dhe me 7 marsin, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Veliaj theksoi se Bashkia do të ndërtojë në të gjithë kryeqytetin 20 shkolla të reja.
Kreu i Bashkisë deklaroi se Tirana nuk mund të jetë një qytet ku digjet një shkollë për të bërë një pallat.

“Unë besoj që mesazhi që japim jo vetëm për nxënësit, jo vetëm për mësueset, jo vetëm për prindërit është që ky nuk mund të jetë një qytet ku digjet një shkollë për të bërë një pallat. Ne të gjithë e dimë historinë se si këtu ishte një shkollë , se si u dogj në mënyrë brutale dhe në një mënyrë të pabesë se si u dogj shkolla një natë dhe kur mësuesit dhe nxënësit erdhën e u gjetën komplet të djegur. Me seanca të pafund u përgatit nga plani i vjetër i Bashkisë që këtu të ndërtohej një pallat, por unë besoj se Tirana ka plot pallate dhe do ketë se sigurisht do ketë hapësira për njerëzit që banojnë, por kurrsesi nuk do të sakrifikojmë një shkollë për të bërë një pallat”, tha ai.

Kryebashkiaku falënderoi dhe kryeministrin Edi Rama dhe Ministren e Arsimit Lindina Nikolla për mbështetjen për ndërtimin e kësaj shkolle. “Dua të falenderoj publikisht sot dy njerëz që kanë qenë shumë të rëndësishëm sepse ne që të merrnim këtë tokë duhet që t’u paguanim para pronarëve, ta shpronësimin dhe pastaj të gjenim edhe para të tjera që të ndërtonin shkollën. Dhe dy njerëzit që dua të falenderojmë me shumë zemër sot, që na mundësuan njëri shpronësimin dhe tjetra fondin për shkollën janë Edi Rama dhe Lindita Nikolla”, tha Veliaj.

Shkolla 9-të vjeçare Kosova do të jetë me 4 kate ne total, 3 kate mbi tokë dhe 1 kat nën tokë ku do të jetë biblioteka e shkollës që do të ketë një sallë leximi si dhe një zonë për ruajtjen e librave. Gjithashtu, disa ambiente të shkollës si auditoriumi do të jenë në shërbim edhe për komunitetin. Investimi parashikon krijimin e të gjitha kushteve të nevojshme për zhvillimin e orëve të mësimit si dhe ndërtimin e laboratorëve modernë. I vendosur tashmë si një standard nga ana e Bashkisë së Tiranës për krijimin e lehtësirave për personat me aftësi të kufizuar, projekti parashikon dhe ndërtimin e rampës për në derën kryesore, ndërkohë që lëvizja në vertikalitet do të kryhet nëpërmjet ashensorit.
Shtuar më 07/03/2017, ora 14:07

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori