Nis rikonstruksioni i Bibliotekës nr.4, Veliaj: Investimi në kulturë garanci për të ardhmen e qytetit
Pëlqej
Të rinjtë, miq të librit dhe banorë të Njësisë Bashkiake nr. 9 në Tiranë do të kenë së shpejti një ambient të ri dhe të denjë për të lexuar dhe zhvilluar aktivitete të ndryshme sociale e kulturore. Në vijim të projektit të saj për rigjallërimin e bibliotekave të lagjeve, Bashkia e Tiranës ka nisur rikonstruksionin e plotë të Bibliotekës Nr. 4 në Njësinë 9. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj theksoi se investimi në kulturë është investimi më i mirë për të ardhmen e qytetit dhe shoqërisë.

Ai nënvizoi se këtë vit do të përfundojnë tre biblioketa lagjesh, ndërsa është siguruar edhe një fond i pasur librash, të cilët do të shpërndahen në të gjitha bibliotekat, për të krijuar një lamirshmëri më të madhe titujsh për lexuesit. “Më vjen mirë që në një kohë shumë të shkurtër, pak ditë nga fillimi i punës tek biblioteka “Musine Kokalari”, po nisim punë në bibliotekën e njësisë 9. Kjo është një punë në infrastrukturë, por është edhe një punë në kulturë. Përveç rinovimit të bibliotekave, kjo është e dyta, së shpejti do të kemi edhe një të tretë, kemi krijuar edhe një fond prej 10 mijë tituj librash, të cilët do furnizojnë bibliotekat e lagjeve dhe shkollave”, tha kryebashkiaku Veliaj.

Ai u shpreh se rikthimi i vëmendjes së të rinjve te leximi është një sfidë e gjithë shoqërisë, por së pari e institucioneve shtetërore në një kohë kur teknologjia po fiton gjithnjë e më shumë terren. “Sot sfida më e madhe që kanë të rinjtë dhe nxënësit e këtij qyteti është presioni konstant që vjen nga teknologjia. Nuk themi që të jetojmë pa smartphone-t, por nuk mund të jetojmë dot pa libra, kështu që na duhet të gjejmë një balancë. Është lajm i mirë kur shohim statistikat ekonomike të këtij viti, të cilat thonë se janë mbyllur më shumë pika bastesh dhe kazino e janë hapur më shumë biblioteka e shkolla. Sa më pak kazino dhe baste, sa më shumë shkolla dhe biblioteka, aq më e ardhme e ndritur e pret qytetin tonë. Ndaj edhe jam shumë entuziast për hapjen e kësaj biblioteke”, shtoi Veliaj.

Ai bëri të ditur se me nisjen e vitit shkollor dhe akademik Bashkia e Tiranës ka marrë masat që të krijojë më shumë lehtësira që u vijnë në ndihmë kryesisht nxënësve dhe studentëve që vijnë nga rrethet dhe qëndrojnë në konvikte. “Për herë të parë këtë vit do të punojmë edhe me nxënësit dhe studentët që vijnë për herë të parë në Tiranë. Do të kemi një projekt orientimi në qytetin e Tiranës. Tirana është një qytet me 1 milion banorë, me shumë konkurrencë, me shumë bërryla, ka shumë garë dhe besoj se Bashkia e Tiranës duhet të jetë në krah të atyre që vijnë për herë të parë në Tiranë për të kërkuar një mundësi. Kështu që, për ata nxënës që vijnë si konviktorë ose studentë për herë të parë në tetor në Tiranë, bashkia do të përgatisë një paketë orientimi që ardhja e tyre të mos jetë aq sfiduese sa ka qenë vitet e tjera”, u shpreh Veliaj.

Biblioteka nr. 4 megjithëse nga më të frekuentuarat, ajo ishte në një gjendje të mjerueshme fizike, për shkak se prej vitesh nuk ishte bërë asnjë investim. Projekti i rikonstruksionit të saj parashikon prishjen e suvatimit të mureve, tavaneve dhe fasadës së jashtme dhe bërjen e suvatimeve të reja. Do të bëhet hidroizolimi i plotë bibliotekës dhe shtrimi me pllaka, do të vendosen dyer e dritare të reja, si dhe do të bëhet rikonstruksioni i plotë edhe i tualetit. Terreni i jashtëm, që tashmë është i pakufizuar dhe i uzurpuar nga pjesa e parkimeve, do i rikthehet bibliotekës dhe komunitetit, si dhe do të bëhet sistemimi me gjelbërim dhe stola.
Shtuar më 02/09/2017, ora 13:15
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori