Nis ndërtimi i rrugëve të brendshme të Parkut të Liqenit Artificial
Pëlqej
Hapësira publike e Parkut të Madh të Liqenit Artificial është rimodeluar tërësisht në funksion të promovimit të jetës së shëndetshme.

Për të rritur cilësinë e shërbimeve të ofruara për qytetarët brenda parkut, duke e bërë këtë hapësirë ndër më të frekuentuarat dhe çlodhëset në kryeqytet, Bashkia e Tiranës dhe Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit ka nisur punën për ndërtimin e rrugëve lidhëse ndërmjet pikave të reja të krijuara, si fushat multisportive, këndi i ri i forcës, etj.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, inspektoi punimet që po kryhen dhe theksoi se të gjitha agjencitë e Bashkisë do të jenë në terren gjatë gjithë verës për t’u siguruar që qytetarët në shtator të kenë një ambient sa më dinjitoz për të kaluar kohën e lirë.

“Pavarësisht investimeve tona në parkun e Farkës, në parkun e Kasharit, le të themi kurora e gjelbër e Tiranës, Parku i Liqenit vijon të jetë më i frekuentuari nga qytetarët. Në rrugët e brendshme të tij nuk është ndërhyrë që nga vitet ‘60-70, çka ka bërë që me gjithë investimet që ka bërë Bashkia, të përdoret vetëm 10% e territorit të parkut.

I gjithë investimi në rrugët e reja, të brendshme dhe lidhëse me pjesët më interesante të parkut, do të zgjasë vetëm dy muaj. Në fund të verës i gjithë parku do të jetë i vizitueshëm”, tha Veliaj.

Duke theksuar se Bashkia e Tiranës do të shfrytëzojë maksimalisht periudhën e verës për të përfunduar disa nga investimet e saj, Veliaj kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve të Tiranës për shqetësimin që mund të krijohet si pasojë e punimeve.

“Siç po punojmë këtu, po punojmë në çdo cep të Tiranës, nga Kinostudio në Kombinat. Dua t’u kërkoj qytetarëve pak durim. Ne shfrytëzojmë maksimalisht muajt e verës, duke qenë se është muaji me më pak trafik, një pjesë e qytetarëve janë jashtë Tiranës për pushime, ndaj është periudha ideale kur mund të bëjmë shumë prej punëve publike.

Kërkoj mirëkuptim, një ulje të trafikut në shumë prej lagjeve të Tiranës gjatë natës, që mjetet e rënda të kenë mundësi të lëvizin lirshëm e të mbarojmë punë sa më shpejt”, tha ai.

Me ardhjen e stinës së mbjelljeve, bashkia do të rinisë punën për mbjelljen e 50 mijë pemëve të reja në të gjitha parqet, për t’i dhënë jetë projektit të Pyllit Orbital.

“Në Farkë, tek liqeni i Tiranës, në Kashar, nga shtatori e tetori do të fillojmë mbjelljet, ku sërish këtë vit kemi planifikuar 50 mijë pemë të reja vetëm në hapësirën e parqeve për të nisur gjurmët e para të pyllit orbital, në bashkëpunim me qeverinë shqiptare, për t’u siguruar që merr jetë një ndër projektet tona madhore të planit urbanistik.

Këto investime konkrete, këto mbjellje konkrete, parqe konkrete, janë ato që e bëjnë diferencën dhe jo histeria kolektive e atyre që s’kanë mbjellë asnjë pemë, që s’kanë bërë asnjë investim konkret”, u shpreh Veliaj, ndërsa ftoi të gjithë qytetarët e Tiranës që të fokusohen tek investimet e prekshme për ta.

Veliaj u ndal edhe tek çështja e furnizimit me ujë të pijshëm të kryeqytetit në këto ditë të nxehta dhe të një periudhe thatësire të zgjatur që ka prekur të gjithë Europën. Veliaj u bëri thirrje qytetarëve që të kursejnë ujin e pijshëm, ndërsa premtoi marrjen e të gjitha masave për disiplinimin e abuzuesve.

“Jemi në një situatë jo të lehtë sa i përket gjendjes së ujit të pijshëm. Është një situatë e cila ka prekur një pjesë të madhe të Italisë, Ballkanit dhe nuk jemi të vetmit, e po kështu si këto vende të Evropës Perëndimore, edhe ne po aplikojmë të njëjtat praktika, të konservimit të ujit të pijshëm dhe të disiplinimit ndaj abuzuesve.

Çdo pikë uji që mund të konservojmë është e dobishme, por do të jemi radikalë kur vjen puna për të disiplinuar ata që me ujin e çezmës lajnë makinat, tapetet, freskojnë rrugën apo vadisin bahçen, që fare mirë mund të bëhen me ujë pusi siç janë bërë historikisht në Shqipëri”, theksoi kreu i Bashkisë.

Ndërtimi i rrugëve të brendshme të parkut do të lehtësojë aksesin e shërbimit për mirëmbajtjen dhe pastrimin e tij. Investimi parashikon rikonstruksionin e rrugëve ekzistuese të cilat janë amortizuar ndër vite.

Gjithashtu, do të bëhet edhe riparimi i trotuarit të digës te liqeni, që është një nga hapësirat më të frekuentura të Parkut të Madh për të gjitha grupmoshat në çdo stinë. /albeu.com/
Shtuar më 03/07/2017, ora 15:25

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori