Nikollë Lesi: Rama bie, për 45 ditë ka zgjedhje
Gazetari Nikollë Lesi ka bërë një parashikim në lidhje me zhvillimet e ditëve të ardhshme në raportin mes maxhorancës dhe opozoitës.

Sipas tij, për 45 ditë vendi shkon në zgjedhje të parakohshme dhe Rama ikën.

“Edi Rama është zënë në një çark, papritur, dhe akoma nuk e ka marrë veten nga vendimi surprizë i opozitës për djegien e mandateve të deputetit. Edhe nëse firon ndonjë deputet nga PD apo LSI duke u ushqyer në grazhdin e Qeverisë, prapë se prapë vendimi i opozitës mbetet politik e nuk ndikon aspak në Parlament apo në publik.

Opozita zyrtare e ka djegur parlamentin. Mund të blihen “salirexhepër”, sepse kudo gjendet qenër apo bushtra të lira dhe lirshëm. Rëndësi ka që zyrtarisht opozita ka vendosur për mosnjohje të Kuvendit të Shqipërisë, duke djegur mandatet.

Pra tashmë është fakt i kryer politikisht dhe ligjërisht. Topi mbetet në fushën e PS. Edi Rama nuk ndjehet mirë. Kjo duket dhe shikohet nga lëvizjet e tij të çorientuara të ditës.

Edhe kur bën sikur nuk don t’ia dijë, prapë se prapë ai e ndjen se nuk ka rrugëzgjidhje përveç një qeverie tranzitore për ta çuar vendin në zgjedhje dhe që të merret me integrimin e Shqipërisë në BE në qershor.

Me Ramën dhe me këto vendimet të forta të opozitës në mbrojtje të votës së lirë, nuk ka asnjë shans marrja e statusit. Vetëm qeveria e propozuar nga opozita mund t’i jap vendit vendin e kandidatit zyrtar për në BE.

Akoma jemi në dy ditët e para të vendimit ekstrem të opozitës dhe Kryeministri nuk e ka marrë veten sepse mendonte se mund t’i përçante PD dhe LSI. Nuk ia arriti, ndonëse bleu nja dy deputetë të thonë në LSI dhe PD. Tani burime nga grupi antiRama në PS sqarojnë se Edi Rama po shikon mundësinë e një loje dinake kushtetuese.

Javën e parë të marsit do të kërkojë Mocion Besimi në Parlament dhe ti porosisë deputetët e tij të mos e votojnë në bllok, ç’ka do të thotë se nëse nuk merr 71 vota pro, qeveria bie dhe shkon automatikisht në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Sipas Kushtetutës vendi shkon për 45 ditë në zgjedhje të parakohshme parlamentare, por me këtë qeveri dhe kryeministër.

Loja e tij luhet që “a deshët zgjedhje?!”.

Hajde e shkojmë sipas Kushtetutës me mua kryeministër! Ndërkohë opozita nuk pranon kurrsesi të futet ne zgjedhje me Edi Ramën kryeministër, pasi ka fakte dhe bindje se me atë në krye të qeverisë prapë bandat do blejnë votat. Edi Rama po pret Mocion Besimi.

Opozita lufton për qeveri tranzitore pa Ramën shef të qeverisë. Cili variant do fitojë?”, shkruan Lesi në gazetën e tij.
Shtuar më 20/02/2019, ora 11:21
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori