Nikoll Lesi: Basha direkt kryeministër, Rama nuk ha pykë fare
Nikollë Lesi ka bërë një shkrim pas publikimit të përgjimeve nga BILD ku thotë se pas tyre protesta e opozitës do të jetë e pamëshirshme duke paralajmëruar të vrarë dhe të plagosur.

Sipas botuesit të Koha Jonë, nëse kryedemokrati Lulzim Basha do të shoqërohet në prokurori për të dhënë llogari mbi lobimin rus në SHBA, kjo do ta bënte atë automatikisht kryeministër.

Shkruan Lesi
Sot gazeta më e madhe në Europë, gjermania BILD, publikoi përgjime të reja. Para disa ditëve ajo nxori përgjimet e kryebashkiakut durrsak Vangjush Dako me Abdylajt, të cilët cilësohen nga PD si bandë kriminale. Ndërsa sot doli edhe kryeministri në komunikime. Natyrisht Edi Rama ishte i kujdesshëm, por nëse zbërthen gjithë zinxhirin e emrave të tjerë të përgjuar që rrotullohen afër kryeministrit, del e qartë se si janë blerë votat. Me presione, oferta, pazare dhe me bandat.

Kjo është më se e qartë. Me Durrësin bëri si bëri kryeministri dhe sikur e kaloi pa hyrë ferr në këmbë, pasi prokuroria nuk heton, por ishte media që ia nxori bojën PS-së dhe kryeministrit. Megjithatë Durrësin e arkivoi për ca kohë, Edi Rama.

BILD sot ia prishi humorin kryeministrit. Edi Rama duket nga mënyra se si reagon për gjyq ndaj gazetarit gjerman, se ndjehet keq. E di se publiku është tejet i bindur se si janë blerë votat në 2017, falë edhe miopisë politike të PD-së, kur bëri marrëveshjen e 18 majit. Sondazhet tregojnë se mazhoranca është në pikiatë të frikshme elektorale, ndaj edhe po synon të marrë të gjitha bashkitë, shpejt e shpejt, pa kandidatë opozitarë.

Ndërkohë prokuroria nxitoi të spostojë vëmëndjen duke njoftuar publikisht se ka ndërmend të marrë me forcë liderin e opozitës Lulzim Basha, çka vetëm i shton pikët atij, duke e kthyer në hero, nëse e arreston. E bën automatikisht kryeministër. Por prokuroria ka urdhër nga kryeministri. Kjo dihet, kjo e nxjerr atë organ politik. Të premten është protesta e opozitës, e cila siç duket do jetë radikale dhe e pamëshirshme.

BILD thotë se të enjten, një ditë para protestës, do të nxjerrë prapë përgjime. Problemi është se shteti është angazhuar në blerjen e votës për PS-në. Kjo është e kundraligjshme dhe e zhvlerëson pushtetin e Edi Ramës.

Situata po precipiton nga dita në ditë, shumë keq. Kryeministri nuk ha pykë fare, nuk don asnjë ulje në tavolinë për të gjetur udhën e arësyes sëbashku me Presidentin dhe opozitën. E do konfliktin, pasi mendon se nga konflikti mund të ringrihet, duke ia faturuar opozitës pasojat e përplasjes, ku për dreq mund të ketë të vrarë dhe të plagosur.

Edi Rama duhet të gjejë shtigjet e mirëkuptimit politik dhe të mendojë për shtetin e popullin e jo për karriken e tij.

Filxhani i kafesë nuk i del mirë duke parë britmat e Elisa Spiropalit!.
Shtuar më 18/06/2019, ora 10:36
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori