Nikolas Bërns deklaroi sot në Prishtinë se viti 2005 do të jetë vendimtar për Kosovën
Pëlqej
Albeu.com
Nënsekretari amerikan i Shtetit për çështje politike, Nikolas Bërns, deklaroi sot në Prishtinë se viti 2005 do të jetë vendimtar për Kosovën.Ndërkaq Bërns takimin e parë e pati me shefin e UNMIK-ut Soren Jesen Petersen.
Nënsekretari amerikan i Shtetit tha se ndodhet në Kosovë për të diskutuar të ardhmen e saj sepse ky vit është vit i vendimmarrjes. Ai shfaqi mendimin se ky vit duhet të jetë vit i ndryshimeve për Kosovën, duke shtuar se status kuoja është e paqëndrueshme. Bërns siguroi se SHBA-të do të mbështesin tërësisht njerëzit e këtij rajoni për të përcaktuar të ardhmen e tyre. Nënsekretari amerikan i shprehu mbështetje të plotë shefit e UNMIK ut. Njëherit ai theksoi se Amerika ka besim të plotë në ambasadorin Kai Aide, i cili do ta udhëheqë procesin e vlerësimit të standardeve në emër të sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara.
"Pikëpamja jonë është se nëse gjërat shkojnë në drejtimin e duhur, do të kemi diskutimet për statusin. Shtete e Bashkuara i mbështesin tërësisht njerëzit e këtij rajoni që të përcaktojnë të ardhmen e tyre", tha Bërns.
Në mesditë nënsekretari i shtetit Nikolas Bërns në një takim të përbashkët bisedoi me Presidentin Ibrahim Rugova, Kryeministrin Bajram Kosumi dhe Kryeparlamentarin Nexhat Daci.
Presidenti Rugova takimin e vlerësoi shumë të frytshëm. Ai tha se e kishte njoftuar zotin Bërns me progresin që është bërë në Kosovë dhe se po punohet në vlerësimin e progresit që sipas rrugës ndërkombëtare do të hapen bisedat për të ardhmen - për pavarësinë e Kosovës, u shpreh ai.
"Ndërsa unë insistoj për njohjen direkte nga SHBA-të, nga BE-ja që do ta njihnin edhe fqinjët tanë", tha Presidenti Rugova pas takimit. Zoti Bërns krerëve më të lartë të institucioneve të Kosovës i kishte siguruar për përkrahjen që do ta kenë nga SHBA-të në këtë proces.
Kryeministri Kosumi tha se në këtë takim me nënsekretarin Bërns është diskutuar për zvillimet e fundit në Kosovë. Kosumi vlerësoi se ka progres dhe rezultate shumë të mëdha në Kosovë dhe se dalëngadalë vendi po hyn në fazën e përgatitjes për statusin final. Ai beson se ky proces do të fillojë në shtator. "Nuk do të ketë ndonjë proces të pakufishëm, por ai do të zgjasë më pak se një vit dhe do të përcaktohet statusi final i Kosovës", u shpreh Kosumi.
Nënsekretari Bërns takoi edhe liderët e opozitës Hashim Thaçin dhe Veton Surroin.
Në fund të vizitës nënsekretari amerikan i Shtetit do të mbajë një konferencë shtypi, ku do të flasë për vizitën e tij në Prishtinë. Bërns në fund pritet të vizitojë disa familje serbe në komunën e Kastriotit. qik
Shtuar më 08/06/2005, ora 20:42
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori