Miliona vende puna të lira, Europa kërkon punëtorë….jo ilegalë!

Nga Tomáš Zdechovský “EuObserver

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Emigrimi është një çështje delikate, e cila është aktualisht jashtëzakonisht e debatuar në Evropë. Megjithatë, është thelbësore të bëhet dallimi i qartë midis emigrimit të paligjshëm dhe atij legal. Emigrimi i paligjshëm është burim i shumë problemeve për Evropën.

Kontrolli jo i duhur i emigrantëve që vijnë në Evropë, mund të përbëjë një kërcënim për sigurinë e të gjithëve ne. Për të mos përmendur faktin që Evropa nuk ka qenë shumë e suksesshme në kthimin e emigrantëve të paligjshëm në vendet e tyre. Përkundrazi, emigracioni legal i menaxhuar nga rregulla të qarta mund të jetë i dobishëm për Evropën.

Propozimi ambicioz i komisionit

Kontrolli i emigracionit mund të jetë kryesisht një përgjegjësi e shteteve kombëtare, dhe kjo gjë nuk duhet të ndryshojë. Megjithatë, rregullat e përbashkëta për emigracionin legal në nivel evropian mund të jenë një aset i rëndësishëm. Në tetorin e vitit 2021, Këshilli Evropian miratoi Direktivën e Kartës Blu.

Këto rregulla të reja harmonizojnë kushtet për hyrjen dhe qëndrimin e punëtorëve shumë të kualifikuar nga vendet e treta dhe e rrisin atraktivitetin e Kartës Blu të BE-së. Synimi është të tërheqë dhe të mbajë në union punëtorë me aftësi të larta në sektorët që përballen me mungesë aftësish, duke i bërë më gjithëpërfshirëse kriteret e pranimit, duke lehtësuar lëvizshmërinë brenda BE-së dhe duke e bërë më të lehtë qasjen në tregun e punës.

Në fund të prillit të vitit të kaluar, Komisioni Evropian doli me propozime të mëtejshme për ta bërë emigrimin legal shumë më të lehtë dhe më efikas. Duke qenë se ka mungesë të fuqisë punëtore në shumë sektorë, nga këto masa duhet të përfitojnë ekonomia e BE-së. Po ashtu do të forcohet bashkëpunimi me vendet e treta, dhe në terma afatgjatë ne mund të ndihmojnë në përmirësimin e menaxhimit të emigracionit në Evropë.

Detyrat kryesore për BE-në

Elementi kyç do të ishte modifikimi i lejes së përbashkët të qëndrimi, për të kombinuar një leje pune me një leje qëndrimi. Gjithçka duhet të jetë e thjeshtë për ta bërë të gjithë procesin sa më të shpejtë dhe të drejtpërdrejtë për aplikantët dhe punëdhënësit.

Në praktikë, kjo do të nënkuptonte për shembull se do të ishte e mundur të aplikohej për një leje të vetme jo vetëm në vendet anëtare të Bashkimit Evropian, por edhe në vendet e treta. Një element i dytë shumë i rëndësishëm është thjeshtimi i dhënies së lejes së qëndrimit afatgjatë. Përveç kësaj, personat me një leje qëndrimi afatgjatë dhe familjet e tyre, do të kishin të drejta të zgjeruara.

Si të tërhiqen talentet

Paketa e paraqitur nga komisioni është në një farë mënyre shumë ambicioze. Megjithatë, ideja e përgjithshme është një hap në drejtimin e duhur, me kushtin që të përfshijë punëtorë të kualifikuar në profesione, që aktualisht po përballen me mungesë punëtorësh.

I ashtuquajturi Grupi i Talenteve i BE-së synon të tërheqë punëtorë të talentuar dhe të kualifikuar nga vendet e treta, të cilat mund të ndihmojnë ndjeshëm ekonominë evropiane.

Edhe pse paketa e re nuk lidhet drejtpërdrejt me valën aktuale të refugjatëve, ajo mund të lehtësojë integrimin e ukrainasve në të ardhmen, gjë që padyshim do të ishte një avantazh i madh jo vetëm për Republikën Çeke, e cila ka numrin më të madh të refugjatëve ukrainas në raport me popullsinë.

Thjeshtimi i përgjithshëm i kushteve për emigrimin e ligjshëm për motive punësimi, mund të shihet si një përfitim potencialisht i madh, veçanërisht për punëtorët në sektorë të tillë si teknologjia e informacionit, kërkimi dhe shëndetësia.

Emigrimi i ligjshëm i lidhur me punët e kualifikuara është po ashtu thelbësor për rimëkëmbjen tonë ekonomike, dhe Evropa mund të përfitojë prej tij. Për më tepër, nëse kushtet për emigracionin legal janë të mirë-vendosura, kjo është një mënyrë (edhe pse jo e vetmja) për ta frenuar emigracionin ilegal. /albeu.com

Shënim:Tomáš Zdechovský, eurodeputet i grupit të Partive Popullore Evropiane në Parlamentin Evropian, përfaqësues i Republikës Çeke.

 

 


Shtuar 10.03.2023 10:55