Statuti i PD-së, shtyhet seanca në Gjykatën e Apelit

Gjykata e Apelit në Tiranë ka shtyrë vendimin për ankimimin e bërë nga grupi i Enkelejd Alibeajt, pasi në seancë nuk është paraqitur përfaqësuesi ligjor i PD-së së këtij grupi Indrit Sefa. ABC mëson se seanca e radhës pritet të zhvillohet më 10 nëntor.

Gjykata e Apelit pritet që më datë 10 nëntor të shqyrtojë ankimimin e Partisë Demokratike, kundër vendimit të marrë nga gjykata më 18 mars 2022, kur regjistroi ndryshimet statutore të Kuvendit të PD-së të 17 korrikut 2021. PD thekson në akimimin e saj se Gjykata duhet të kishte shqyrtuar edhe kërkesën tjetër të Partisë Demokratike, për regjistrimin e ndryshimeve në Statutin e Kuvendit të 18 dhjetorit.

Ky ankim do të shqyrtohet nga një treshe gjyqtare e cila përbëhet nga Irida Kacerja, Sirela Tore, Genti Shala dhe Mona Muçi si anëtare.

‘Prishjen e Vendimit me Nr.1337/218 Regj Themeltar i datës 18.03.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë me gjyqtare Blerina Muça duke vendosur kthimin e saj për shqyrtim në të njëjtën gjykatë por me tjetër trupë gjykuese. Ose Ndryshimin e Vendimit me Nr.1337/218 Regj Themeltar i datës 18.03.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë me gjyqtare Blerina Muça duke vendosur: Pasqyrimin e ndryshimeve te Statutit të Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe të organeve të reja të zgjedhura në Kuvendin Kombëtar të datës 17.7.2021. Pasqyrimin e ndryshimeve te Statutit të Partisë Demokratike të Shqipërisë të kryera në Kuvendin Kombëtar të datës 18.12.2021.’- theksohen në ankimimin e PD-së.

Në rast se gjykata do të pranojë ankimin e PD-së për të bashkangjitur dy kërkesat për ndryshimet statutore, atëherë “zhbëhet” Kuvendi i 11 dhjetorit 2021, i Sali Berishës. Ndryshimet statutore të Kuvendit të Sali Berishës, u regjistruan nga gjyqtari Agron Zhukri i cili më 25 mars i kaloi PD-së Berishës.


Shtuar 3.11.2022 11:10