Temperaturat nën zero "paralizojnë" shpërndarjen e ujit, rritet konsumi i energjisë
Për shkak të temperaturave të ftohta në të gjithë të gjithë vendin ka probleme me furnizimin me ujë për shkak të ngrirjes së tubacionëve.

Banorët e Durrësit janë zgjuar me tubacionet dhe depozitat e ngrira nëpër tarracat pallateve.

Për pasojë për pjesën më të madhe të qytetarëve që banojnë në pallatet e para viteve ‘90 ka qenë i pamundur aksesi në ujë pa ndërprerje, ndërkohë furnizimi me rrjetin e qytetit bëhet sipas grafikut me orare.

Në Bulqizë situata me ngrica dhe temperatura që kanë zbritur deri në -23 gradë ka bërë që banorët e lagjes “Gjeologu” të kenë tre ditë pa u furnizuar me ujë të pijshëm dhe qytetarëve u duhet të furnizohen me ujë jashtë qytetit, shkruan TCH

Në Lezhë temperaturat deri në -14 gradë kanë bërë që në zona të ndryshme të qytetit të ketë mungesa të ujit të pijshëm si pasojë e ngrirjes së tubacioneve dhe depozitave.

Ndërkohë drejtori i Ujësjellësit apelon qytetarët të krijojnë rezerva për një ose dy ditë pasi rreziku i ngrirjes së linjave të përcjelljes së ujit në banesa apo depozita është i lartë.

Probleme ka patur edhe në furnizimin me energji. Rritja e konsumit për ngrohje ka çuar në mbingarkesa dhe të paktën në kryeqytet ka pasur stakime të energjisë elektrike në disa zona.

Po ashtu, probleme ka patur në zonat e Burrelit dhe Kukësit të cilat janë më të prekura nga defektet, por pa ndërprerje të energjisë nuk kane shpëtuar as disa fshatra në Korçë dhe Elbasan tek të cilat është rikthyer energjia në mesditë./albeu.com/

Shtuar më 08/01/2017, ora 16:59

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori