Ngjela: Opozita po shuhet për të mbrojtur Berishën
Pëlqej
Spartak Ngjela shpreh keqardhjen për gjendjen e opozitës. Përmes një analize, ai thotë se kjo e fundit po shuhet fare, për të mbrojtur veprat korruptive të Sali Berishës.

“Fatkeqësisht, po vijojmë të jemi qesharakë në sytë e perëndimorëve. Asgjë normale dhe racionale nuk sheh sot në debatin politik në Shqipëri. Një opozitë që bën bojkot, sepse Berisha ka frikë se mos, presioni ndërkombetar për vendosjen e drejtësisë në Shqipëri, do të bëhet laku që do të kapë vjedhësit dhe abuzuesit e fisit të tij, dhe atë vetë. Është i trembur, kuptohet. Ka nxjerrë një kryetar partie dhe vetë është “tërhequr”, por kryetari i ri ende nuk flet se Saliu ka gjetur të tjerë që nuk flasin si kryetari i partisë, por si Saliu, edhe pse në fak kryetari i partisë nuk di të flasë…sepse ende nuk ka artikuluar asgjë politike.. asgjë”, shkruan Ngjela.

për këtë ai bën përgjegjës Lulzim Bashën, që nuk mund të shkëputet dot nga ndikimi i Berishës.

“Ka shumë që thonë që s’e le Saliu. Por ky, pse nuk i shmanget? Mund të ketë ndonjë politikan sot në botë që të dojë një të humbur tërësor më shumë se veten? Pse s’e di Saliu që s’ka më vota në Shqipëri? Sigurisht që e di Dhe këtë e di edhe kryetari i ri… Por, atëherë, pse Saliu del në pah me unin e tij të diskredituar? Po, se don të mbrojë abuzuesit e afërt të familjes, pasi mendon se kryetari që ka vendosur nuk di ta bëjë këtë”, thotë Ngjela.

Sipas tij, Berisha dhe familjarët e tij u përlyen në korrupsion, pasi mendonin se do të arrinin të manipulonin sërish zgjedhjet.Por, kjo nuk ndodhi dhe tashmë Berishës, sipas Ngjelës, i ka hyrë frika:

“Po, pse i la që të binin në krim të afërmit e tij me emrin e tij, kur ishte kryeministër? Sepse edhe vetë atë ndërtim kishte…por kishte edhe një shtysë patologjike që e mbante me shpresë: ishte i sigurt se do të manipulonte zgjedhjet si përherë, sepse s’ishte i aftë të mendonte që do ta kishte thuajse të gjithë popullin kundër dhe manipulimi i zgjedhjeve do të ishte i pamundur.

Po tani pse bërtet? Ja, si ai i vetmuari në pyll, që bërtet nga frika se mos e sulmojnë. Por, a do ta nxjerrë dot kështu? Asfare. Është, si gjithmonë, joracional kur analizon veten në raport me kohën e tij. Dhe, kështu si vepron, po i heq opozitës çdo shpresë për rifigurim ideor”.

“Qeveria shkon si primare në Berlin, kurse Saliu bërtet e thotë indirekt se “nuk ka qenë Rama në Berlin…ose, thotë që “ka genjyer edhe Merkelin”, si gënjeu para një viti shqiptarët. Se ka frikë ta godasë Kancelaren gjermane. Po nuk e kupton që kjo s’është politikë, madje edhe si ajo që mendon se do ta shpëtojë nga padia penale për abuzim me pushtetin. Por, në të njëjtën kohë, e kupton shumë mirë që Merkeli dhe politika gjermane dhe europiane, kur thonë “reformë në drejtësi”, kanë parasysh eliminimin e korrupsionit. Kjo e tremb Saliun, që mendon se do të mbrohet me “revolucion“, vijon më tej Ngjela.

Sipas tij, edhe pse Berisha kërkon të mbrohet me revolucion, kjo është e pamundur, pasi tashmë shteti është fuqizuar shumë. /albeu.com/
Shtuar më 01/09/2014, ora 10:49
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori