Ngjela: Meta i tmerrruar nga SPAK prandaj flet për tërmete
Avokati Spartak Ngjela beson se SPAK-u do të bëjë kërdinë tek politikanët e lartë shqiptarë pavarësisht problemeve që po has implementimi i Reformës në Drejtësi në vend.

Në këtë kuadër ai nuk e kurseu dje ironinë për Presidentin e Republikës, Ilir Meta, sa i takon paralajmërimit të këtij të fundit për një tërmet apokaliptik.

Në një prononcim të dhënë për gazetën “SOT”, Ngjela deklaroi se deklaratat e Metës tregojnë se ai ka nevojë për një psikiatër.

Sipas tij, përgjigjen e saktë se pse presidenti flet në këtë formë mund ta japë vetëm një mjek i shëndetit mendor.

“Më mirë të pyesni një psikiatër, unë s’jam psikiatër. Ai thotë budallallëqe. Shkenca e sizmologjisë nuk është e saktë, nuk parashikohen dot tërmetet.

Me një aproksimativitet mund të thuhet që do të bjerë tërmet, por nuk mund të dihet sesa ballë do të jetë. Është shkenca e cila nuk është shkencë e saktë. Pse merret presidenti me këtë? Është mirë të pyesni një psikiatër”, tha avokati.

Më tej, ai renditi arsyet pse Ilir Meta flet edhe për gjëra që s’i takojnë. Duke theksuar se presidenti e ka humbur ekuilibrin, Ngjela u shpreh se Meta ndjehet i tmerruar nga Struktura e Posaçme Antikorrupsion, por edhe nga hetimi parlamentar që ka nisur për të.

Sipas tij, Meta e di që ka kryer një shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe tani po pret pasojat.

“Ai është nën akuzë, ka humbur ekuilibrin dhe gjithçka mund të ndodhë, por nuk ka gjë në dorë që të shkatërrojë shtetin. Po të kishte kompetenca të mëdha, do të duhet të ishim të shqetësuar.

Por tani nuk ka ndonjë shqetësim të madh. Ai kështu flet gjithë ditën, se mos është vetëm kjo që ka thënë. Ai ka 20 ditë që lëshon gjëra të tilla. Ka 20 ditë që flet gjëra pa ekuilibër. Po të mos dinim arsyen, mund të themi që mund të vuajë nga ndonjë sëmundje.

Por fakti që dimë arsyen tregon që ai është i shqetësuar. Është i shqetësuar nga reforma në drejtësi, por edhe nga procesi hetimor i nisur nga Parlamenti. Hetimi i Parlamentit është një gjë shumë e vështirë për të, është shkelje e Kushtetutës dhe ata do ta çojnë deri në fund. Në këto momente ai ka një arsye të fortë pse flet ashtu”, deklaroi avokati.
Shtuar më 01/08/2019, ora 10:05
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori