Ngjela: Korrupsioni në drejtësi, pasojë e vetë sistemit
Pëlqej
“Në një vend ku të gjithë flasin kundër vjedhjes dhe nuk kapet asnjë hajdut, ose të gjithë janë hajdute, ose te gjithe kane frike nga hajdutët. Por, në një vend ku të gjithë pushtetarët flasin kundër korrupsionit, por nuk ndëshkohet asnjë i korruptuar, ose të gjithë janë të korruptuar, ose vetë të korruptuarit kanë pushtetin gjyqësor e politik bashkë.
Edhe për korrupsionin tonë në Shqiperi sot kështu po ndodh: te gjithë po flasin kundër korrupsionit; dhe, ç’është më e dhimbshmja, më shumë flasin më të korruptuarit”.

Kështu shkruan Spartak Ngjela në një koment në rrjetet sociale duke reaguar ndaj konferencës së sotme lidhur me strategjinë anti-korrupsion.

Sipas tij, korrupsioni në drejtësi është pasoje e vetë sistemit, i cili ka lejuar që të bëhët marrëveshja e fshehtë midis gjyqtarëve, prokurorëve dhe qeverive e maxhorancave parlamentare:

“na lini të shesim drejtësinë, thonë të parët, që t’iu lëmë të shisni shtetin dhe vetë interesin kombëtar.Na lini të shesim shtetin dhe interesin kombëtar e shoqëror, thonë të dytët, që t’iu lëmë të shisni drejtësinë”. Dhe kjo në fakt është marrëveshja e pështirë antishoqërore në Shqipëri; dhe kjo është edhe arsyeja që dëgjohen vetëm fjalë.

“Ne duam drejtësi perëndimore”, po dëgjojmë të flasin … Por, po të ketë drejtësi perëndimore në Shqipëri, nuk mund të ketë të korruptuar. Kurse këtu po shohim se vetë të korruptuarit, pasi e kane zhvatur deri në fund arkën shtetërore, flasin për drejtësi”, thekson Ngjela.

Në vijim ai shprehet se vetëm fjalë do të ketë përderisa shqiptarët ta kuptojnë se varfëria e tyre është rezultat i fjalëve boshe të drejtuesëve të tyrë për drejtësinë dhe antikorrupsionin.

“Po pse janë të detyruar të flasin e të flasin kështu këta pushtetarë? Sepse duan të gënjejnë politikën perëndimore. Por, a do ta gënjejnë dot? Jo…nuk e besoj se do ta gënjejnë, por e mira është që të mos gënjehen shqiptarët.

Çelësi janë shqiptarët. A do të munden shqiptarët që ta shkatërrojnë marrëveshjen e heshtur që përmenda më lart? Kjo mbetet për t’u parë në të ardhmen. Nëse nuk prishet marrëveshja midis poltikës dhe gjyqësorit, kurrë mos mendoni se do të këtë drejtësi në këtë vend, dhe gjithmonë të vjedhurit do të jenë të varfërit: domëthënë shqiptarët”, mbyll komentin Ngjela.
Shtuar më 23/09/2014, ora 13:46
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori