Wladimir dhe Vitali Klitschko janë në listen e zezë të Putin me 23 emra që duhen eliminuar

Teksa Rusia ka nisur një ofensivë të madhe për të pushtuar Ukrainën dhe një kordon i gjatë kilometrik i ushtrisë ndodhet shumë pranë Kievit, raportohet se Vladimir Putin ka një listë të zezë me 23 emra që duhen eliminuar.

“The Times” shkruan se me urdhrin e ofensivës totale ndaj Ukrainës, në veçanti për të marrë Kievin, Wladimir dhe Vitali Klitschko janë përfshirë në listën e zezë me 23 persona të Vladimir Putin, të cilët duhen kapur ose eliminuar.

Gjithnjë sipas “The Times”, 400 mercenarë rusë shumë të stërvitur janë dërguar në Kiev me kërkesën për të vrarë presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelenskyy dhe për të zhdukur në thelb qeverinë e tij.

Shumë prej këtyre mercenarëve thuhet se i përkasin Grupit Wagner, një organizatë ushtarake private me lidhje me Putinin, që fluturoi nga Afrika rreth një muaj më parë.

Ata janë urdhëruar të “heqin qafe” qeverinë në këmbim të një tarife ndërsa thuhet se vëllezërit Klitschko janë në listën e objektivave të Putinit. Wladimir dhe Vitali Klitschko kanë qenë tepër aktivë duke përdorur platformat e tyre sociale për të nxitur vendet e tjera të ndihmojnë Ukrainën në çdo lloj forme në këto kohë të vështira.

Që të dy ish boksierët e famshëm janë parë duke rrëmbyer armët por edhe duke trajnuar qytetarët e Kievit sesi të mbrohen teksa kryeqyteti i Ukrainës është në një situate shumë të rrezikshme dhe mund të merret nga Rusia pas ofensivës së madhe që ka nisur.


Shtuar 1.03.2022 14:58