Ngelin në testim, 300 policë pushohen nga puna
Rreth 300 punonjës policie pritet të largohen nga puna pasi kanë ngelur në testimet e bëra në kursin bazë të policisë. Urdhri për largimin e tyre nga puna është firmosur para pak ditësh dhe aktualisht është shpërndarë në strukturat bazë të policisë, ku uniformat blu janë njoftuar për largim nga Policia e Shtetit, për shkak të ngeljes në testimet e kryera për kursin bazë policor.

Sipas gazetës Shqip ata i përkasin rolit bazë të policisë, ndërkohë që shpërndarja gjeografike nuk ka lënë jashtë as punonjësit e policisë në Drejtorinë e Tiranës. Kriteret

Por, për të përfunduar këtë kurs me sukses ishin vendosur disa kritere, ku kërkohej që në total të testimeve, punonjësi i policisë të mblidhte 70 për qind të krediteve, ose ndryshe përjashtohej nga kursi, rrjedhimisht largohet nga policia. Sipas të dhënave, gjatë 11 javëve ata kanë pasur 11 teste gjithsej për të mbledhur 70 për qind të krediteve. Kështu, ata i janë nënshtruar gjashtë testeve javore, një testi për ndihmën e shpejtë, një testi për armët e zjarrit, dy testeve mujore dhe testit përmbledhës. Por, një nga këto teste ka qenë i detyrueshëm për të kaluar në fazën tjetër të kursit, i cili është ai për armët e zjarrit. Punonjësit e policisë, të cilët nuk kanë kaluar këtë test janë përjashtuar nga kursi dhe do t’u jepet mundësia për ritestim dhe mbarimin e pjesës tjetër të kursit pas muajit tetor.

Pikët negative

Nga ana tjetër, testet kishin edhe grumbullim pikësh negative, të cilat kanë djegur punonjësit, që kanë marrë urdhrin për largim nga puna. Specialistët shpjegojnë se në çdo test 100 pikësh, polici duhej të mblidhte minimumi 70 pikë për t’u cilësuar “kalues”. Nëse ai merrte më pak pikë, atij i shënoheshin pikë negative, pavarësisht se nuk shkëputej nga kursi dhe vazhdonte me testimet e tjera. Edhe nëse në testimet e tjera, ai vazhdonte të merrte pikë negative, sërish nuk largohej nga kursi. Por, edhe pikët negative kanë një kufi. Nëse arriheshin 36 pikë negative, pra të mblidheshin të gjitha pikët e tilla të çdo testi, atëherë punonjësi i policisë përjashtohej nga kursi. Janë pikërisht këta punonjës policie, të cilët kanë arritur nivelin maksimal të pikëve negative, të cilët do të shkëpusin marrëdhëniet e punës me Policinë e Shtetit. /albeu.com/
Shtuar më 17/09/2012, ora 12:04

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori