Ngacmon gruan shtatzënë, arrestohet 40-vjeçari
Ngacmon seksualisht 22-vjeçaren, arrestohet 40-vjeçari. Burime nga policia bëjnë me dije se në pranga është vënë Tahir Kaci, i cili prej disa kohësh përndiqte të renë shtatzënë, duke kërkuar që të kryente marrëdhënie seksuale me të. Ngjarja është shënuar pranë zonës së Unazës së Re, ku mësohet se dy ditë më parë, 40-vjeçari ka ngacmuar sërish 22-vjeçaren.

Uniformat blu bëjnë me dije se mbrëmjen e së hënës, e reja ka qenë duke shkuar për në banesën e saj në momentin që është ngacmuar nga 40-vjeçari, me origjinë nga Dibra, por me banim në Babrru. Sipas policisë, Kaci ka dashur që të kryejë marrëdhënie seksuale me 22- vjeçaren, por kjo e fundit e ka refuzuar duke u zënë me të. Policia bën me dije se 40-vjeçari ka tentuar që të ushtrojë edhe dhunë mbi vajzën, në mënyrë që ta detyronte atë për të pranuar, por 22-vjeçarja ka lajmëruar bashkëshortin e saj, i cili ka zbritur në rrugë dhe është konfliktuar me agresorin.

Burime policore sqarojnë se 40- vjeçari e ka pasur fiksim vajzën, sepse kjo nuk ishte hera e parë që ai e ngacmonte atë. Sipas policisë, Kaci e ka ngacmuar vajzën edhe tre muaj më parë. Në këto kushte, ditën e djeshme uniformat blu të Komisariatit nr.6 në Tiranë arrestuan 40-vjeçarin. /albeu.com/
Shtuar më 04/09/2013, ora 09:10
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori