Nga veriu në jug: 15 bandat e '97 që terrorizuan shqiptarët me vrasje, plaçkitje e dhunë

Shqipëria e muajve të trazirave luftarake të vitit 1997, nuk ishte vetëm një vend ku ra pushteti dhe qeveria, ku u dogjën dhe u plaçkitën institucionet publike, por u kthye edhe në një terren të lirë e të plotë për krijimin dhe sundimin e bandave kriminale.

Në mungesë totale të shtetit, bandat e krijuara në jug të vendit, konkretisht në Vlorë, Tepelenë, Fier, Berat, Gjirokastër e në shumë qytete të tjerë të Shqipërisë, morën në kontroll krejt jetën e vendit.

Të strukturuara tamam si banda kriminale të armatosura, secila prej tyre vendosi kufijtë dhe zonat e kontrollit të territorit në qytetet dhe rrethet e vendit. Për aq muaj sa Shqipëria ishte e përfshirë dhe e zhytur në kaos, jeta e shqiptarëve ishte nën kontrollin dhe tmerrin e plotë të tyre.

Në vitin 1997, në Shqipëri u krijuan 15 banda kriminale, me epiqendër në jug të vendit, ku dhe rebelimi kishte epiqendrën e tij. Por të tilla banda u krijuan dhe në zonën veriore të vendit. Të 15 bandat e krijuara, për nga fuqia dhe masakrat e kryera, ishin shteti dhe pushteti absolut që bënin terror, krime, plaçkitje dhe luftë mes tyre.

Janë qindra krime që kanë ndodhur brenda grupeve e anëtarëve të bandave, mes bandave, ndaj qytetarëve, ndaj biznesit, ndaj institucioneve shtetërore, të kryera prej këtyre bandave në bashkëpunim me njera-tjetrën, veç e veç, ose në luftë me njera tjetrën. Ishin ditë, javë e muaj të mungesës së shtetit dhe natyrshëm që vendin e tij e zunë bandat kriminale e terroriste.

Tashmë kanë kaluar 16 vite që prej asaj situate dramatike. Bandat janë eliminuar, janë arratisur jashtë vendit e janë prangosur prej shtetit. Por historia e krimeve dhe e tmerrit të shkaktuar prej tyre ka mbetur në kujtesë të shqiptarëve, sidomos të banorëve të zonave e qyteteve ku ato kanë vepruar në 200 ditët e rebelimit. Ka qenë muaji mars i vitit 1997, kur janë regjistruar ngjarjet më dramatike prej tyre.

Banda e Altin Dardhës me bilanc me 120 vrasje

Është ndër bandat më famëkeqe të vitit 1997, që u krijua dhe veproi kriminalist në qytetin dhe zonën e Beratit për 6 muaj gjatë trazirave të rebelimit. Kjo bandë kreu krime nga më të tmerrshmet.

Altin Dardha ne vitin 1997, ishte një prej personazheve më të frikshëm të Beratit. Ai konsiderohej si një vrasës me gjak të ftohtë, dhe hakmarrjen ndaj vëllezërve Tomorri në Berat, e organizoi për shkak se i kishin vrarë babanë e tij në qendër të Beratit, duke punuar si kambist. Kjo është edhe zanafilla e bandës.

Altin Dardha dhe banda e tij kanë kryer mbi 120 vrasje, ku vetëm 63 i ka kryer Altin Dardha. Zona që kjo bandë sundonte, shtrihej nga hyrja e Beratit deri tek ura e Goricës. Banda e frikshme e Altin Dardhës kishte rivalitet me bandën e Lul Cakës, mbështetës i Partisë Demokratike. Vrasjet midis dy bandave, ishin të shumta dhe makabre, duke e terrorizuar gjithë qytetin e Beratit. Nga grupi i Altin Dardhës, doli banda e Otllakut, që i bëri atentat Altin Dardhës.

Banda e Zani Caushit (Çoles)

Banda “Çoles” u krijua nga Myrteza Çaushi, i njohur ndryshe edhe si “Zani”, i forti i Vlorës, personazhi i rebelimit në Mars të vitit 1997. Pjesëtarët e grupit ishin 15 persona, shumica me precedentë penalë. Myrteza Çaushi, ishte i burgosur në një nga burgjet e sigurisë së lartë në Greqi pasi kishte disa vepra të rënda penale.

Krejt papritur në Shkurt 1997, ai arratiset nga burgu dhe rikthehet në Vlorë, ku duke përfituar nga trazirat së bashku me disa shokë të tij nga magjia Çole krijojnë bandën e njohur në gjithë vendin për krimet monstruoze që ka kryer. Në Vlorë gjatë trazirave të vitit 1997, u formuan 5 banda. 3 prej tyre ishin rivale me atë të Zanit, Banda e Gaxhait, Banda e Kakamit (shpesh herë bashkoheshin në një grup) dhe Banda e Pusit të Mezinit.

Kjo e fundit u eliminua gjatë Masakrës së Levanit më 28 Mars 1997. Sipas një dëshmie të Izet Haxhisë, kjo bandë u nis për të eleminuar Zanin dhe Komitetet e Shpëtimit që po mblidheshin në Vlorë, po u dekonspiruan nga zyrtarë shtetërorë. Rivalitetin më të madh banda e Zanit e pati me bandën e Gaxhait. Përplasja midis tyre nisi më 9 Maj 1997, kur u vra Bernard Duçka, i njohur si Kuqo, anëtar i bandës së Gaxhait.

Gaxhai në kundërpërgjigje tentoi të merrte autoblindat e policisë për të luftuar me Zanin, po nuk ia arriti. Me përfundimin e trazirave dhe arrestimin e pjesëtarëve të dy bandave, lufta midis tyre mbaroi. Ja cila është një pjesë nga kronika e përgjakshme e bandës së “Çoles” (Zani Caushit)

1. Mars 1997 : Formohet banda. Ajo bashkëpunon ngushtë me Komitetin e Shpëtimit të Vlorës.
2. Data 7 maj 1997: Merret peng tregtari nga Tepelena Artur Gjoshi dhe miku i tij, Pëllumb Petriti. Kjo ngjarje solli një përplasje të ashpër midis bandave të Vlorës dhe atyre të Tepelenës.
3. Data 8 maj 1997: Rrëmbehet tregtari Foto Kola, pas torturave lirohet për 500.000 lekë.
4. Data 9 maj 1997: Vritet Bernard Duçka me nofkën “Kuqo”, që kishte shkuar për të ndërmjetësuar për lirimin e Gjoshit. Kundërshtarët për t’u hakmarrë rrëmbejnë vëllanë e ushtarit të Zanit, Avdyl Bajrami, të cilin e vrasin.
5. Data 11 maj 1997: Vriten Neritan dhe Edmond Dedenika.
6. Data 19 maj 1997: Vritet Arben Latifi, shok i ngushtë i Zanit dhe Gjergj Cukalla. Zani vret Niko Borakun pasi e kanë torturuar.
7. Data 11 korrik 1997: Rrëmbehet Sokol Kamberi.
8. Data 28 shtator 1997: Kapet Zani Çaushi dhe anëtarët e bandës së tij.
9. Data 5 gusht 1997: Tentohet të vilet një gjobë 10 milionë lireta italiane në Laprakë, Tiranë.
10. Data 23 qershor 1997: Rrëmbehet kryetari i Komunës Novoselë, Kanan Shakaj, lirohet i torturuar pasi u paguan 200 milionë lekë.
11. Data 12 shtator 1998: Zani dhe shokët e tij arrestohen. Mbahet gjyqi ndaj tyre, por lirohen për mungesë provash.
12. Data 11 korrik 1999: Zani arrestohet përsëri dhe dënohet me burgim të përjetshëm, për vrasje, grabitje, armëmbajtje pa leje dhe përdhunime.

Krimet e bandës së Gaxhait

Grupi i drejtuar nga Gazmir Braka, njihej në Cerkovinë si banda e Gaxhait dhe jetonin së bashku në mënyrë të organizuar në fshatin Cerkovinë. U krijua në mars 1997, por ende nuk ishte kristalizuar si një grup kriminal. Gazmend Brakaj së bashku me një grup shokësh, nga qyteti i Vlorës, por dhe nga qytete të tjera, ndër ta dhe mjaft persona tashmë të vrarë, krijuan bandën që më pas do të njihej si banda e Gaxhait.

Në funksion të organizimit të kësaj bande të armatosur, shërbejnë dhe faktet që duke pasur si qendër fshatin Cerkovinë, anëtarët e bandës nuk kryenin asnjëherë veprimtari kriminale në atë fshat. Nga deklarimet e banorëve të fshatit, rezulton se Gaxhai së bashku me të pandehurit e tjerë, për të krijuar idenë e një grupi të organizuar që mbronte zonën herë pas here, ndihmonte me para njerëzit e fshatit.

Gjithashtu, provohet se mjaft shtetas që kishin konflikte me persona të ndryshëm në Vlorë shkonin tek Gaxhai në Cerkovinë për t’ua zgjidhur problemet e tyre. Banda e Gaxhait njihej si mbështetëse e Partisë Demokratike. Banda rivale me grupin e Gaxhait ishte Banda e Çoles. Përplasja midis tyre nisi më 9 Maj 1997, kur u vra Bernard Duçka, i njohur si Kuqo, anëtar i bandës së Gaxhait. Gaxhai në kundërpërgjigje tentoi të merrte autoblindat e policisë për të luftuar me Zanin, po nuk ia arriti. Me përfundimin e trazirave dhe arrestimin e pjesëtarëve të dy bandave, lufta midis tyre mbaroi. Ja një skedë e shkurtër e krimeve të kësaj bande:

1. Në datën 17.03.1997 është vrarë shtetasi Ilir Mara dhe sipas të atit të tij, dëshmitarit Fejzo Mara, këtë vrasje e ka bërë Alfred Nebiu dhe Gazmend Nebiu, në datën 17.03.1997, u gjend i vrarë pranë një bunkeri në Babicë, Vlorë.
2. Në datën 20.03.1997, vritet Bashkim Dule nga Gazmend Brakaj (Gaxhai) së bashku me Edmond Leskajn, Bernard Duçkën, (Kuqo, i vrarë) dhe disa persona të tjerë të armatosur, ndër ta dhe Myrteza Caushi (Zani), gjetur i vrarë në afërsi të Parkut Komunal Vlorë.
3. Në datën 24.04.1997 është vrarë shtetasi Sadik Kurti, pranë banesës së tij
4. Në datën 10.05.1997, është marrë peng Avdyl Bajrami dhe tek vendi i quajtur “Kaminat e gëlqeres” në fshatin Kaninë, rreth 2 km larg qytetit të Vlorës e vranë dhe e dogjën
5. Në datën 13.06.1997, në fshatin Armen, Vlorë, Robert Boraku ka plagosur në pritë rrugore grupin e përberë nga Ligor Koreta, Dhame Koreta, Dhimitraq Mishka, Panajot Qirjo dhe Tako Mishka.
6. Në datën 19.06.1997, Robert e Niko Boraku, së bashku me Gazmend Brakaj (Gaxhain) kanë vrarë dhe më pas kanë djegur Dhimitraq Mishkën, kufoma e të cilit u gjend në vendin e quajtur “Shamogjin”.
7. Në datën 19.06.1997, në vendin e quajtur Shamogjin pranë një karburanti, anëtarët e bandës kanë rrëmbyer Zini Harunin dhe e kanë çuar në Cerkovinë e më pastaj e kanë vrarë.
8. Në datën 08.08.1997, në vendin e quajtur “Skelë”, pranë lokalit “Miami” Vlorë, sulmohet dhe masakrohet me armë Robert Myftari, i cili ishte duke udhëtuar me makinë me gruan e tij.

15 bandat e që vepronin gjatë vitit 1997

1. Banda e “Çoles” Vlorë: Veproi në qytetin e Vlorës. Ishte mbështetëse e Partisë Socialiste. Bashkëpunoi me Komitetin e Shpëtimit të Vlorës. Kreu shumë krime me motive politike.
2. Banda e Gaxhait: U vetëdeklarua mbështetëse e Partisë Demokratike. Veproi në qytetin e Vlorës, kundërshtare e flaktë dhe rivale e bandës së “Çoles”.

3. Banda e Pusit të Mezinit: Mbështetëse e Partisë Demokratike. Veproi në qytetin e Vlorës. Kundërshtare e flaktë e Bandës së Çoles. U eliminua gjatë Masakrës së Levanit.
4. Banda e Tepelenës: Veproi në Tepelenë. Ishte vetë Komiteti i Shpëtimit të Tepelenës. Kreu shumë krime me motive politike.
5. Banda e Cërrikut: U bë e njohur me Masakrën e Cërrikut, më 25 Maj 1997. Anëtarë të Komitetit të Shpëtimit të Cërrikut, ishin pjesë e bandës. Kreu shumë krime me motive politike.
6. Banda e Lushnjes (Aldo Bare): U krijua nga Aldo Bare, ish-efektiv i repartit 326. Kreu krime të tmerrshme. Mbështeti PS. Kreu shumë krime me motive politike.

7. Banda e Loshit, Karbunarë: Veproi në Lushnjë. U bë tmerri i udhëtarëve. U bashkua me Lul Cakën, të cilin e kishte pjesë të familjes..
8. Banda e Altin Dardhës: Veproi në Berat. Berati përjetoi ditët më kaotike të historisë së vet gjatë aktivitetit të kësaj bande. Kreu shumë krime me motive politike.
9. Banda e Lul Cakës: Veproi në Berat. Kundërshtare e Altin Dardhës. Mbështeti Partinë Demokratike. Kreu shumë krime me motive politike. U bë tmerri i udhëtarëve. U bashkua me Loshin e Karbunarës, të cilin e kishte pjesë të familjes.
10. Banda e Otllakut: Veproi në Berat. U krijua nga ndarja me bandën e Altin Dardhës.

11. Banda e Mandelës: Veproi në qytetin e Elbasanit. Drejtohej nga një rom i quajtur Eduart Peqini, prandaj u quajt “Banda e Mandelës”. Kundërshtare me bandën e Cërrikut. Kreu shumë krime me motive politike.

12. Banda e Kateshit: Veproi në Elbasan, kreu shumë krime me vrasje, plaçkitje, përdhunime, grabitje, pengmarrje dhe terror mbi banorët e qytetit.
13. Banda e Nehat Kullës: Veproi në fshatin Tufinë të Tiranës. Drejtuesi i saj e quajti veten "Gjeneral".
14. Banda e Kolajve: Veproi në Burrel. Kundërshtare me bandën e Dedëve.
15. Banda e Dedëve: Veproi në Burrel. Kundërshtare me bandën e Kolajve.
Shtuar më 09/07/2020, ora 16:25

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori