Nga koalicionet, te pragu zgjedhor dhe listat: Çfarë ndryshoi në Kodin Zgjedhor
Brenda pak muajsh Kodi Zgjedhor ka ndryshuar dy herë, fillimisht si rezultat i akordit në Këshillin Politik mes PS-PD-LSI dhe më pas në tetor pa dakordësi nga maxhoranca socialiste.

Duke lënë disi mënjanë ndryshimet e miratuara në 23 korrik që më shumë kishin të bënin me pjesën teknike menaxheriale të procesit zgjedhor dhe të administratës, Kodi Zgjedhor i votuar në 5 tetor prodhoi disa elemente që do të jenë për herë të parë në zgjedhjet e 25 prillit.

Fillimisht, sa u përket listave, pasi teorikisht ato do të jenë të hapura dhe zgjedhësit do të kenë mundësinë për të zgjedhur deputetin që duan, edhe pse kjo votë e tyre pak gjasa ka që realisht të përcaktojë deputetët që do të marrin mandatit. Kjo skemë e propozuar nga PS-ja dhe më pas e votuar në Kuvend, u kundërshtua nga opozita në Parlament, e cila quajti atë praktikisht si një mbajtje të mbyllur të listave për deputetë. Një ndryshim shumë i madh që iu bë Kodit Zgjedhor ka të bëjë me koalicionet parazgjedhore.

Tashmë me hapjen e listave nuk do të ketë më koalicione me listë të përbërë, por me një listë unike. Ky ndryshim ka qenë tema më e fortë e përballjes mes opozitës së bashkuar dhe maxhorancës. Nga PDja e LSI-ja ky ndryshim i bërë nga PS-ja në çështjen e koalicioneve dhe të formulës së mandateve, u konsiderua si një tentativë për të penguar bashkimin e të gjitha forcave opozitare në një front.

Po ashtu, ndryshime më pak të debatuara që u përfshinë në Kodin Zgjedhor të votuar në 5 tetor, ishin edhe ato që kishin të bënin me pragun zgjedhor dhe mundësinë për kryetarët e partive për të kandiduar në 4 qarqe të ndryshme. Pragu zgjedhor në 25 prill do të jetë 1 për qind në rang kombëtar, ndryshe nga 3 për qind që u propozua më herët.

Ndërsa “favori” për kryetarët e partive për të kandiduar në 4 qarqe u kërkua nga opozita në Kuvend dhe ishte një nga “lëshimet” që PS-ja bëri përkundrejt tyre. Këto ndryshime tashmë nuk kanë më asnjë pengesë për të hyrë në fuqi dhe të implementohen në zgjedhjet e 25 prillit. Hyrja në fuqi u shty me disa javë për shkak se Presidenti mori kohë për të çuar dekretin në Kuvend, ku kërkonte rishqyrtimin, por që u hodh poshtë dje me 97 vota.
Shtuar më 30/10/2020, ora 09:52

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori