Nga janari do të regjistrohen të gjithë emigrantët
Nga janari i vitit të ardhshëm, çdo shqiptar që jeton jashtë kufijve do të ketë mundësinë të regjistrojë online banesën e tij, duke përfituar kështu nga dhjetëra shërbime të munguara nga vendi i tij pasi nuk i dihej adresa.

Kjo gjë është bërë me dije sot nga kryeministri Rama, ndërsa ka nënvizuar faktin se shteti këtë gjë duhet ta kishte bërë vite më parë.

Teksa prezantoi projektligjin “Për regjistrimin e shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë Shqipërisë”, Rama tha se mungesa e sistemit të adresave është shëmbëlltyrë e mungesës së shtetit, ku për 25 vite, Shqipëria ende nuk ka një shifër të saktë për shqiptarët në emigrim.

"Sipas shifrave, janë mbi 4.4 milionë shqiptarë, por ne nuk dimë sa janë këtu dhe ku dhe sa janë jashtë dhe ku. Dimë që shteti e ka të vështirë t’u shkojë pas për të bërë detyrën e vete, të japë shërbime me cilësi për ata që jetojnë këtu dhe jashtë Shqipërisë.

Është një proces fatkeqësisht historik, edhe për faktin se jemi i vetmi vend i Evropës dhe besoj nga të paktët vende të botës, pa sistem adresash, me një sistem ku tjetërkund je, tjetërkund banon dhe tjetërkund shfaqesh.

Kjo është shëmbëlltyrë e mungesës së shtetit, që nuk di ku ka njerëzit e vete dhe t’ju mundësojë shërbimet që meritojnë. Shqipëria, për shkak të mungesës së një shteti serioz, ka 25 vjet që këtë pasuri të paçmuar e ka lënë jashtë inventarëve dhe shqiptarët jashtë atdheut i ka trajtuar si shtetas të huaj. Emigrantët e dinë se çfarë kanë hequr për të marrë një certifikatë", tha Rama. /albeu.com/
Shtuar më 11/12/2015, ora 14:20
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori