Nga dhuna deri tek vrasja makabre, pse u dënua ish-burri i gjyqtares së vrarë
Pëlqej
Ngjarja e djeshme, ku gjyqtarja Fildes Hafizi u vra nga ish-bashkëshorti Fadil Kasemi, ishte i treti rast në dy vitet e fundit kur ajo është gjendur para një arme zjarri në duart e babait të dy fëmijëve të saj. Për dy radhët e para kanë qenë në dijeni edhe kolegët e saj të sistemit të drejtësisë.

Gjyqtarja Hafizi e ka kallëzuar dhunën fizike e psikologjike dhe zotërimin e një arme nga i shoqi, por në një rast hetimi ndaj tij nuk është nisur dhe në tjetrin ai është dënuar me vetëm 3 vjet burg.

Ai u shpall fajtor për akuzën e “mbajtjes pa leje të armëve luftarake” dhe “dhunës në familje” në lidhje me ngjarjen e korrikut 2015, ku dhunoi në plazhin e Golemit ish-bashkëshorten e tij.

Edhe pse gjatë përleshjes Kasemi tentoi të nxjerrë një pistoletë nga një çantë e vogël që kishte me vete, ndaj tij nuk u ngrit akuzë për “kanosje” apo “tentativë vrasjeje”. Treshja gjykuese e kësaj çështjeje në Gjykatën e Kavajës përbëhej nga Luan Lusha, kryesues, dhe anëtarët Eda Kaja e Markeljan Koco, shkruan Panorama.

Kasemi u dënua me 4 vjet e 6 muaj burg, por përfitoi uljen e një të tretës nga gjykimi i shkurtuar.

I arrestuar më 19 korrik 2015 dhe i dënuar me 3 vjet burg, Kasemi e shijoi lirinë më 14 janar 2017. Ai ishte një nga përfituesit e amnistisë së fundvitit të kaluar dhe doli nga qelia në një kohë që kishte edhe 11 muaj e 8 ditë për të kryer. /albeu.com/

Shtuar më 01/09/2017, ora 13:27
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori