Nga arti në politikë, çfarë i bëri këto figura të njohura të bëhen pjesë e partive
Ditën e sotme në emisionin “Shqipëria Live” në Top Channel u diskutua gjatë përfshirja e artistëve apo personazheve të njohur të ekranit në politikë. Madje partitë politike janë mbështetur edhe për zgjedhjet e ardhshme te këta personazhe, që deri tani publiku i dinte si apolitikë.

PS ka afruar në “fushatën” e saj emra si Eli Fara, Kastro Zizo, Gaz Paja, Helidon Haliti, etj. Më herët kishte afruar dhe Erion Isain.

PD në këto zgjedhje pikasi me emra si Andi Lila, Klodiana Shala, Gentian Muça, Robert Bodina, Jul Deda, Basir Çollaku, e të tjerë.

Në një lidhje të drejtpërdrejtë me emisionin ishte aktorja e njohur, Zamira Kita, e cila u shpreh se jo vetëm artistët duhet që të japin kontributin e tyre në politike. “Ne bëmë që arti të ecte më shumë në Korçë. Secili nga ne duhet të kontribuojë aty ku beson, unë besova dhe bëmë shumë ndryshime”, tha ajo.

Ndërsa pyetjes se a përfiton politika nga Zamira, apo Zamira nga politika, aktorja u përgjigj: “Përfitimi është i dyanshëm. Politika përfiton nga ata që kanë punuar fort për artin, populli i do. Por unë në qytetin tim nuk e kam patur armiqësinë nga ana tjetër”.

Tjetër artist që është angazhuar në politikë dhe që aktualisht është kryetari i Bashkisë së Kolonjës, është Erion Isai. Aktori i dashur për publikun u shpreh se politika nuk e ka ndryshuar fare Erionin. “Të bërit politikë përmes artit është ta transmetosh atë. Nuk e ka ndryshuar fare politika Erionin. Duhet ta mirëkuptojmë se artistët nuk janë robotikë, kanë qasjet e tyre për bërjen e një punë. Kemi angazhime si qytetarë, ide menaxhimi. Janë të njëjtat arsye se si një ekonomik, jurist gjen arsye për të hyrë në politikë. Një artisti jep ide shumë më të mira se juristët apo ekonomistët”, tha ai.

Në studio ishte i ftuar edhe Robert Budina , icili u shpreh se nuk ka qenë kurrë i interesuar që të ishte i përfshirë në politikë, por duke parë problematikat e shumta të artit, vendosi që të merrte vendimin që t’i bashkohej PD-së.

Artistët nuk kanë ditur kurrë që të mbrojnë njëri-tjetrin, nuk kanë ditur të kërkojnë të drejtat e tyre. Kultura dhe arti nuk kanë marrë kurrë zgjedhje, prandaj u bashkova me PD. Ligji për trashëgiminë është skandal”, tha Budina.

Ai u shpreh se nuk ka asnjë qëllim politik, përveçse dëshiron që artisti të marrë meritën që i takon. Budina u shpreh se nëse nuk i ke idetë e të paqarta, atëherë shfrytëzohesh nga politika. “Nuk kam asnjë sekondë për të humbur. Marrëdhënia ime me PD është e hershme, ne në thelb kemi vlerën, lirinë, konkurrencën. Është mirë kur artistët do të bashkëpunojmë me të gjitha kahet politike, pasi duhet që të jemi lart tyre”, vijoi ai.
Shtuar më 13/10/2020, ora 14:52

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori