Maqedonia e Veriut do ta ndalojë antivirusin rus Kaspersky “kur këtë ta bëjë BE-ja”

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka thënë se do ta ndalojë përdorimin e antivirusit të prodhimit rus, Kaspersky, kur të miratohet ndonjë masë specifike apo të ndalohet përdorimi i tij nga Bashkimi Evropian, ndërsa shtoi se Maqedonia e Veriut i zbaton të gjitha masat kufizuese në lidhje me Rusinë.

Më parë, Radio Evropa e Lirë ka raportuar se softueri rus përdoret në institucione shtetërore, megjithëse është në “listën e zezë” në shumë vende.

Sipas të dhënave nga Byroja e Prokurimeve Publike të Maqedonisë së Veriut, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Financave, Ministria e Arsimit, kompleksi i klinikave shëndetësore shtetërore, gjykatat dhe shumë komuna e institucione tjera përdorim shërbimet e antivirusit rus Kaspersky.

Kjo ka ngritur shqetësimet mbi sigurinë e kompjuterëve në këto institucione.

“Maqedonia e Veriut zbaton të gjitha masat kufizuese të BE-së në lidhje me Rusinë dhe kur të miratohet një masë specifike ose ndalim i përdorimit të Kaspersky në nivel të BE-së, do të merren masat e duhura”, thuhet në përgjigjen e qeverisë maqedonase për Radion Evropa e Lirë.

Në përgjigjen e Qeverisë thuhet se edhe pse nuk ka asnjë ndalim apo rregullore brenda BE-së apo NATO-s për përdorimin e Kasperskyt, diskutimet janë duke vazhduar në nivel të BE-së, NATO-s dhe SHBA-së për këtë çështje.

Sipas hulumtimit të Radios Evropa e Lirë, programi antivirus i prodhuesit rus, Kaspersky, përdoret në më shumë se 50 institucione të Bosnjë e Hercegovinës, përfshirë Presidencën, Këshillin e Ministrave, Forcat e Armatosura dhe Agjencinë Shtetërore të Hetimit dhe Mbrojtjes (SIPA).

Të dhënat e Prokurimeve Publike të Serbisë, tregojnë se 14 institucione të këtij shteti kanë blerë shërbimet Kaspersky gjatë dy vjetëve të fundit. Këto institucione financohen nga buxheti shtetëror.

Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaloi përdorimin e programeve të tyre antivirus në të gjitha agjencitë shtetërore në vitin 2017 për shkak të akuzave për bashkëpunim me Shërbimin Federal të Sigurisë Ruse (FSB), të cilat kompania i mohoi.

Në vitin 2018, Parlamenti Evropian kërkoi që institucionet e Bashkimit Evropian të ndalonin përdorimin e produkteve të kompanisë ruse në pajisjet e tyre./rel/