Nga 68 milione euro, vetem 2 % per spitalin e Tetoves
Albeu.com
Nga 68 milionë euro të cilat sipas tenderit për sjelljen e aparateve të reja, që do t’i dedikohen institucioneve shëndetësore, spitalit klinik të Tetovës i janë ndarë vetëm 1 milion e 195.747 euro.
Kjo rezulton se vetëm 1.76 për qind e tenderit i është siguruar spitalit të Tetovës. Ndërsa, në rinovimin e objekteve dhe institucioneve shëndetësore që është paraparë të realizohet në tre faza, spitali klinik i Tetovës është përfshirë në fazën e parë. Në kuadër të spitalit, punimet zhvillohen për Qendrën diagnostike të Tetovës. "Për ndërtimin e kësaj qendre, qeveria e Maqedonisë ka ndarë 3.2 milion euro. Furnizimi me pajisjet dhe aparaturën e nevojshme do të bëhet nëpërmjet tenderit dhe projektit për rindërtimin dhe renovimin e institucioneve shëndetësore", thanë nga Ministria e Shëndetësisë. Sipas MSH, aparatet janë të klasit të lartë. Ndërkaq, drejtorit të Spitalit klinik të Tetovës, i kanë premtuar se këtij spitali do t’i sigurohen mjete me vlerë prej 3.5 milionë euro. Megjithëkëtë, ai tha se është i kënaqur nga ky tender. "Mendoj se nuk kemi dalur keq. Kemi përfituar mjaft nga ky tender", tha Atilla Rexhepi, drejtor i Spitalit klinik të Tetovës. Rexhepi theksoi se brenda këtij viti duhet të arrijnë pajisjet dhe duhet të fillojë funksionimi i Qendrës diagnostike. Disa prej pajisjeve të reja për Spitalin klinik të Tetovës, të cilat arrijnë një shumë prej 1 milion e 195 747 euro janë: rezonancë magnetike, kardioultrazë, aparate për anestezion dhe sallë për monitorim, instrumente kirurgjike, endoskopie, sterilizim me gaz, aparat për frymëmarrje, litotriper (për thyerje të gurëve në veshkë), tomografi me 64 sllajde, inkubatorë, kabinet gastroskopi si dhe karrige kirurgjike. Ndërkaq, për Spitalet klinike të Shtipit dhe Manastirit, nga MSH thanë se akoma nuk është vendosur shuma e investimeve dhe sa aparate, cilat prej tyre, cilës qendër klinike do t’i dedikohen. (lajm)
Shtuar më 26/02/2010, ora 20:18
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori