Nga 15 shtete anëtare të Këshillit të Sigurimit, 11 prej tyre janë pro planit t&
Albeu.com
Sipas vlerësimeve aktuale të qarqeve relevante diplomatike perëndimore, nga 15 shtete anëtare të Këshillit të Sigurimit të KB së, 11 prej tyre, po të bëhej sot votimi për Rezolutën e re për Kosovën të Këshillit të Sigurimit, do të votonin propozimin e Ahtisarit.Ndërkaq katër shtete që nuk janë me shumicën dërrmuese janë: Rusia, Kina, Afrika e Jugut dhe Indonezia, shkruan në numrin e sotëm gazeta "Zëri". Qëndrimi i Rusisë është i njohur për të gjithë, dhe kundërshton hapur planin e Ahtisarit, por edhe hezitimin për të paralajmëruar mundësinë e përdorimit të së drejtës për veto, e cila do ta pamundësonte miratimin e Rezolutës së Këshillit të Sigurimit. Sipas gazetës, Kina bazuar në qasjen e deritashme të saj, duket që do të jetë e kënaqur me votën e abstenimit. Ndërkaq Indonezia, sipas burimeve diplomatike perëndimore, është diku në mes të vendimit për të abstenuar apo për të votuar për. Shqetësimet e Indonezisë kanë të bëjnë me problemet e brendshme që i ka ky shtet. Afrika e Jugut, pas Rusisë, i ka dyshimet më të mëdha për propozimin e Ahtisarit, mbase më së shumti falë qëndrimeve të ambasadorit të Afrikës së Jugut, Dumisani Kumalo, i cili, përndryshe, ka një përvojë të gjatë në OKB, ku është ambasador që nga prilli i vitit 1999. Sidoqoftë, pohon gazeta "Zëri", gjendja përfundimtare sa u përket votave në Këshillin e Sigurimit të OKB së, do të kuptohet vetëm gjatë draftimit të Rezolutës së re të Këshillit të Sigurimit, kur do të shihet konkretisht se cilat shtete janë në favor, cilat kundër, e cilat do të abstenojnë.
Shtuar më 03/05/2007, ora 15:53
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori