Nga 1 shtatori kotrolle për makinat me targa të huaja
Pëlqej
Drejtoria e Përgjithshme e Doganave njofton nxjerrjen e një udhëzim të ri mbi Regjimin e Lejimit të Përkohshëm të Automjeteve për përdorim privat.

Ky udhëzim qartëson procedurat që do të ndiqen për rastet e automjeteve të destinuara për përdorim privat, të cilat importohen në Shqipëri nën Regjimin e Lejimit të Përkohshëm.

Udhëzimi shpreh qartë faktin se çdo përpjekje për të sjellë në Shqipëri automjete të cilat importohen nën këtë regjim, për përdorim të përhershëm apo për interesa ekonomikë, për rishitje apo për pjesë këmbimi, do të konsiderohet si e jashtëligjshme dhe do të ndëshkohet.
Këto automjete, të cilat shihen shpesh teksa të qarkullojnë me targa të huaja në rrugët e Shqipërisë, nuk kanë shmangur vetëm pagesën e taksave dhe të importit, por kanë shmangur edhe kontrollet e detyrueshme vjetore. Përpos kësaj, një pjesë e madhe e tyre, për të mos thënë të gjitha, janë të pasiguruara. Këto automjete nuk përbëjnë vetëm një barrë financiare për pjesën tjetër të shoqërisë, të cilët i kanë regjistruar automjetet e tyre në bazë të ligjit, por përbëjnë edhe një rrezik për sigurinë publike.

Prej muajit shkurt të këtij viti, grupet e përbashkëta operative të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe CrownAgents kanë ndërmarrë një numër të madh kontrollesh në ambientet e shitësve të makinave të përdorura, varrezave të makinave, si edhe të personave fizikë. Në 6 muajt e fundit, këto grupe të përbashkëta operative kanë bllokuar rreth 400 automjete të cilat kishin hyrë në Shqipëri nën Regjimin e Përkohshëm të Automjeteve dhe nuk ishin larguar kurrë prej vendit. Përveç mbledhjes së detyrimeve doganore, Doganat kanë mundur të mbledhin një shumë të konsiderueshme të ardhurash nga gjobat që janë vënë në secilin rast.
Zbatimi i Regjimit të Lejimit të përkohshëm të automjeteve për përdorim privat pritet të rritet ndjeshëm dhe shpejtë, falë këtij udhëzimi të ri.

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave u kërkon qytetarëve të respektojnë vullnetarisht ligjin dhe u bën apel të gjithë individëve që kanë importuar automjete nën RLP të veprojnë në konformitet me ligjin.

Udhëzimi do të hyjë në fuqi në datën 1 shtator 2014. /albeu.com/
Shtuar më 22/08/2014, ora 17:30
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori