Nga 1 shkurti në burg kush ndërton pa leje
Në formë të prerë, nga data 1 shkurt do të futet në burg kush ndërton pa leje. Pra, të gjithë qytetarët të cilët ndërtojnë në mënyrë të paligjshme, duke filluar nga data 1 shkurt do të ndëshkohen jo me gjobë, por do të shkojnë për ndjekje penale.

Ndryshimet e reja në Kodin Penal të miratuara në fund të vitit 2014, kanë kthyer ndërtimet pa leje në vepër penale, si për pronarët e ndërtimit ashtu edhe për sipërmarrësit, zbatuesit e projekteve apo mbikqyrësit e punimeve.

Lidhur me këtë çështje, Dallëndyshe Bici u shpreh: “Kemi ndryshime edhe në masën e dënimit, nga 1 vit ka shkuar në 5 vjet, duke shtuar dhe konceptin e pasojave të rënda, si në tokë private, ashtu edhe në atë shtetërore.

Dënimi është parashikuar me burg deri në 3 vjet edhe për ata që ndihmojnë e asistojnë në ndërtimet e paligjshme”. Duke qëndruar në të njëjtën linjë, kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame rikujtoi edhe një herë afatin e fundit të vetëdeklarimeve, duke u bërë thirrje qytetarëve të paraqiten pranë sporteleve të ALUIZNI-t për kryerjen e procedurave.

“Pas kësaj thirrjeje të fundit, askush nuk mund të ankohet se nuk ka pasur mundësi të kryejë procedura të vetëdeklarimit dhe se nuk ka pasur mundësi të përfshihet në procesin e legalizimit.

Të gjithë qytetarët kanë ende kohë të paraqiten në sportelet tona, të cilat janë në dispozicion të tyre për të kryer procedurat e vetëdeklarimit deri më 31 janar”, deklaroi Artan Lame. /albeu.com/
Shtuar më 20/01/2015, ora 16:38

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori