Neser provimi i Matematikes per Maturen Shteterore ne Shqiperi
Albeu.com
Gjatë ditës së nesërme do të zhvillohet testimi për matematikën për rreth 40 mijë maturantë. Agjencia Qëndrore e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA), ka bërë të ditur se ky test do të ketë 25 pyetje, të cilat do të vlerësohen maksimalisht me 50 pikë.Lloji i testit me të cilin do të provohet nxënësi, varet nga lloji i programit lëndor që ai ka përvetësuar në shkollën e mesme.

Në përputhje me këto kritere, sivjet janë hartuart teste, në varësi të profilit të arsimit. Kjo, pasi edhe programet lëndore dhe ato orientuese për provimet e pjekurisë, janë të ndryshme për tipe të ndryshme shkollash. Është parashikuar që 60 për qind e tezës së provimit do të jetë nga temat tashmë të shpërndara në programet orientuese për lëndët e provimit.

Profili i shkollës së mesme do të specifikojë dhe llojin e testit që maturanti do të plotësojë në ditën e provimit. Po në varësi të profilit është detajuar dhe shkalla e vështirësisë së pyetjeve. Bazuar në skemën hartuese për çdo linjë të përmbajtjes, do të përfshihen kërkesat e tri niveleve të vështirësisë, në raportet 2:2:1(duke filluar prej nivelit minimal).

Pyetjet e testit do të jenë dy llojesh: me zgjedhje të shumëfishtë dhe me shtjellim të argumentuar. Me mbylljen e këtij provimi, rregullorja për 2009-n përcakton se kanë të drejtë të kandidojnë për të vazhduar studimet në institucionet e arsimit të lartë publik vetëm nxënësit që vlerësohen kalues në të katër provimet e Maturës Shtetërore (dy provimet e detyruara dhe dy provimet me zgjedhje).

Nëse një nxënës ka vlerësim kalues vetëm në njërin nga provimet e detyruara të Maturës Shtetërore, rezultati i tij ruhet (konsiderohet i vlefshëm) edhe në vitet në vazhdim. Nxënësi që është mbetës, qoftë edhe në një nga provimet e detyruara të Maturës Shtetërore në sesionin e parë, nuk ka të drejtë të futet në provimet me zgjedhje. Pas zhvillimit të dy provimeve të detyruara fillon periudha e përgatitjes përfundimtare për studimet e larta.

Fillimisht maturantët duhet të njihen me rezultatet e dy provimeve të dhëna, të krijojnë vetë një ide se sa pikë mund të mbledhin dhe vetëm më pas të bëjnë renditjen e degëve se ku duan të studiojnë. Megjithatë, maturantët që kanë hyrë në provimet e këtij viti me rezultate të mbartura nga vitet e shkuara duhet të dinë se në procesin e llogaritjes do të merren parasysh koeficientet e vjetër.

Kështu, nëse nxënësi kërkon t’i ruhet rezultati i mëparshëm në përllogaritjen e pikëve për sistemin meritë–preferencë për këtë lëndë merret koeficienti që lënda ka pasur në vitin që është dhënë. Në rast se nxënësi e ka dhënë më shumë se një herë një lëndë të caktuar në provimet me zgjedhje dhe kërkon t’i njihet rezultati i saj, do t’i njihet rezultati i arritur në vitin e fundit kur e ka dhënë lëndën. (start)
Shtuar më 10/06/2009, ora 22:28
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori