Nesër provimi i matematikës/ Malaj: Kujdes me rregulloren
Nesër do të zhvillohet provimi i matematikës, provimi i tretë i Maturës Shtetërore 2016, i cili mbyll edhe ciklin e provimeve detyruese.

Provimi do të zhvillohet në 201 qendra në të gjithë vendin dhe do të marrin pjesë 42.400 maturantë të shkollave të mesme, për të gjitha profilet.

Në një konferencë për shtyp, Zëvendësministrja e Arsimit dhe Sportit, Nora Malaj, deklaroi se MAS dhe institucionet e varësisë kanë marrë të gjitha masat për menaxhimin dhe zhvillimin korrekt të procesit të provimit, nga fillimi deri në mbylljen e tij.

Nora Malaj theksoi edhe një herë se për nxënësit dhe administratorët që do të thyejnë rregulloren e MSH gjatë procesit të provimit, do të merren masat e duhura.

“Ka pasur raste penalizimi ndaj maturantëve të cilët kanë thyer rregulloren e MSH gjatë zhvillimit të dy provimeve, atë të ‘Gjuhës së huaj’ dhe ‘Gjuhë shqipe dhe Letërsi’.

5 maturantë janë penalizuar për shkak të mbajtjes së celularit në provimet e zhvilluara, duke i vendosur në veshjet e brendshme apo edhe nën atlete.

Ka pasur 3 raste kur maturantët janë paraqitur me identitet të rremë dhe kjo i përket shkollave me kohë të pjesshme, 2 raste janë penalizuar për shkak të mosrespektimit të kodit të etikës dhe komunikimit me administratorët", tha znj.Malaj.

Zëvendësministrja e Arsimit dhe Sportit, Nora Malaj, deklaroi se do të ketë 3 formate testesh, teste për gjimnazin e përgjithshëm, testi për arsimin profesional dhe testi i matematikës për gjuhët e huaja. Provimi është i ndërtuar me 25 pyetje, ku 13 janë me alternativa dhe 12 me zhvillim.

Drejtoria e Policisë së Shtetit, do të garantojë standardin e gjithë procesit, në të gjitha qendrat e provimeve, në vend. Kurse Posta Shqiptare do të garantojë transportimin e materialeve të provimit, në të gjitha drejtoritë dhe zyrat arsimore.

Datat e provimeve të Maturës Shtetërore janë si më poshtë:
a) Gjuhë e huaj 04 qershor 2016
b) Gjuhë shqipe dhe letërsi 11 qershor 2016
c) Matematikë 17 qershor 2016
d) Provime me zgjedhje 24 qershor 2016

Zëvendësministrja e Arsimit dhe Sportit, Nora Malaj bëri edhe njëherë publike këshillat ndaj maturantëve/Kandidatëve, në zbatim të Rregullores së Maturës Shtetërore 2016

Provimi do të fillojë në orën 10.00 dhe do të zgjasë 2 orë e 30 minuta
Maturanti paraqitet në qendrën e provimit 1 ore e 30 minuta përpara fillimit te provimit
Maturanti duhet të ketë me vete vetëm dokumentin e identifikimit dhe stilolaps
Maturanti plotëson testin vetëm me stilolaps me ngjyrë të zezë ose blu dhe ne pyetjet me alternativa rrethon vetëm alternativen e saktë
Maturanti përjashtohet automatikisht nga provimi nëse mban me vete celular apo çdo mjet tjetër komunikimi në mjediset e provimit
Maturanti nuk duhet të dëmtoje kodin e sekretimit të testit, apo të vendos mbi te shenja të dallueshme dhe te veçanta
• Maturanteve me aftësi te kufizuara do t’ju krijohen kushtet e përshtatshme për zhvillimin e provimit
• Maturantët që dorëzojnë testin përpara kohës se mbarimit te provimit, nuk largohen nga qendra e provimit
Maturanti nuk mund të:
a) ndryshojë vendin e caktuar;
b) komunikojë apo të japë informacion me maturantet e tjerë;
c) refuzojë kontrollin nga ana e administratoreve /albeu.com/
Shtuar më 16/06/2016, ora 15:50
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori