Neser protesta e madhe ne Shkup, Vetevendosja mbeshtet protesten
Albeu.com
Këshilli i organizatave shqiptare të dielën edhe njëherë ka përsëritur se Protesta për Drejtësi do të mbahet më 10 maj 2010, pa as një lloj shtyrje apo anulimi. Marshi do të fillojë në ora 13.00 para Gjykatave themelore në ...... Shkup duke vazhduar rrugës për te Kuvendi republikan, qeveria dhe përfundon në vendin e nisjes ku filloi, para Gjykatave.

Këshilli i organizatave shqiptare u bën thirrje gjithë pjesëmarrësve në protestë që të jenë të qetë, ta matur, dinjitozë dhe evropianë në paraqitjen e tyre, duke vlerësuar se edhe një lëshim i vetëm në këtë protestë e dëmton rëndë imazhin e shqiptarëve dhe shkon kundër interesit kombëtar të popullit shqiptar.

“Kërkojmë nga pjesëmarrësit në marsh që në asnjë mënyrë dhe assesi të mos përdorin fjalor i cili nxit urrejtje në baza të ndryshme. Ndalohet rreptësisht fjalori i urrejtjes dhe fyerjes së tjetrit. Çdo lloj fyerje në baza etnike shkon në mënyrë direkte kundër qëllimeve të protestës. Ata që përdorin fjalor të tillë janë kundër arritjes së synimeve të protestës së nesërme. Lusim qytetarët që ta ruajnë gjakftohtësinë dhe të mos bien pre e provokimeve që mund të ndodhin nga persona të pa përgjegjshëm të nacionaliteteve tjera. Rënia në provokime është kundër interesit të shqiptarëve”, deklaroi përfaqësuesi i Këshillit, Valon Bela. Njëkohësisht Këshilli i organizatave shqiptare distancohet plotësisht nga çdo lloj manipulimi politik apo partiak i protestës. “E përsërisim edhe njëherë se protesta organizohet nga shoqëria civile shqiptare dhe është krejtësisht apartiake. Apelojmë te protestuesit që tu përmbahen në mënyrë të prerë rregullave të një proteste paqësore në mënyrë që të tregojmë se dimë të organizohemi në forma të tilla të të shprehjes së revoltës qytetare”, theksoi Bela duke apeluar te qytetarët që në numër të madh ti bashkëngjiten këtij marshi “për të arritur qëllimin e deklaruar, pra të lirohen të burgosurit e pafajshëm shqiptarë si dhe të ndalohen praktikat diskriminuese ndaj shqiptarëve në këtë vend”.

Lëvizja "Vetëvendosje" mbështet plotësisht kërkesat legjitime të demonstratës së thirrur nga Këshilli i organizatave shqiptare, e cila do të mbahet nesër, më 10 maj, në Shkup. “Këto kërkesa sublimojnë vullnetin e popullit shqiptar në Maqedoni për drejtësi, barazi dhe mosdiskriminim, prandaj ne i përkrahim ato. Por këto kërkesa po ashtu janë në vijë me interesin tone kombëtar në përgjithësi. Shtypja politike, ekonomike dhe kulturore e shtetit të Maqedonisë ndaj popullit shqiptar që jeton atje, ka qenë e vazhdueshme, por këto vitet e fundit ajo ka marrë formë më të drejtpërdrejtë dhe provokuese. Duke filluar prej sulmeve të dhunshme të tifozëve të futbollit mbi lagjet shqiptare të Shkupit, e deri te Enciklopedia akademike shtetërore antishqiptare; prej rrënimit të shtëpisë së Nënës Tereze, e deri te shlyrja e identitetit shqiptar të kryeqytetit nëpërmjet “Shkupit 2014”; prej mohimit të simboleve tona kombëtare, e deri te përpjekjet e hapura të asimilimit nëpër shkollat fillore shqipe – këto janë vetëm disa prej manifestimeve të shtypjes së organizuar shtetërore maqedonase mbi popullin shqiptar”, thuhet në komunikatën e “Vetëvendosjes” .
Shtuar më 09/05/2010, ora 19:40
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori