Nesër Meta betohet si President, por Kryemadhi e le keq
Në Kuvendin e Shqipërisë, nesër në orën 18:00 pritet të zhvillohet ceremonia zyrtare e betimit të Presidentit të ri të zgjedhur Ilir Meta.

Mësohet se pas fjalës së tij, rreth orës 19:00, Meta do t’i drejtohet në selinë e Presidencës për të zhvilluar aty një tjetër ceremoni zyrtare me rastin e marrjes së detyrës.

Në zyrë Meta, si fillim do të presë paraardhësi i tij Bujar Nishani me të cilin pasi të realizojnë edhe foton e rastit do të dalin sëbashku në sheshin para godinës së Presidencës ku Meta pritet të mbajë edhe një fjalim para dhjetra të ftuarve.

Ndërsa nga ana tjetër, ajo çka është bërë e ditur, Metës do t’i dorëzohet Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë nga Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja.

Ndërkohë, që gjatë ceremonisë Presidenti i ri i Republikës, është thënë se ai nuk do të shoqërohet nga bashkëshortja e tij, dhe njëherësh kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi, por nga vajza e tij. Kjo pasi vetë Kryemadhi më parë e ka bërë të ditur këtë vendim. /albeu.com/
Shtuar më 23/07/2017, ora 21:28

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori