Inaugurohet rruga “Ismail Qemali” në New York

Qyteti i New York-ut ka vendosur të nderojë njërin nga udhëheqësit më të shquar të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe kryetarin e parë të Shqipërisë, Ismali Qemalin duke i vënë emrin e tij një rruge në Staten Island.

Emërimi i një rruge me emrin e Ismail Qemalit në Staten Island të New York nuk është vetëm një nderim për figurën e tij historike, por gjithashtu shënon një hap të rëndësishëm për komunitetin shqiptar në qytetin e madh amerikan.

Kryetari i Shoqatës Shqiptaro-Amerikane në Staten Island, Naser Nika dhe biznesmeni Shpëtim Qorraj, djali i dëshmorit Mustafë Qorraj nga Pemishta e Drenicës, kanë qenë prej kohësh në përpjekje të vazhdueshme për të realizuar një ndër arritjet më të rëndësishme për komunitetin shqiptar në New York.

Shqiptarët janë një nga komunitetet më të rëndësishme dhe më të vjetra të diasporës në Neë York, dhe emërtimi i një rruge me emrin e një heroi kombëtar shqiptar përforcon identitetin dhe pranimin e tyre në këtë qytet.

Në një ceremoni emocionuese që u zhvillua më 3 qershor 2023, komuniteti shqiptar në Staten Island, New York, festoi momentin historik, inaugurimin e rrugës “Ismail Qemali”.

Rruga “Ismail Qemali” do të jetë një kujtim i përhershëm i kontributit të tij në historinë e Shqipërisë dhe do të shërbejë si një shenjë e unitetit dhe bashkëpunimit mes komuniteteve shqiptare dhe amerikane në New York./Albeu.com/


Shtuar 7.06.2023 12:26