Nese s'ka njohje, s'ka as pushime
Albeu.com
Diplomatët mund t’i gëzohen dy herë njohjes së shtetit të Kosovës nga një vend: një herë për shtetin e një herë për vete. Herën e dytë për arsye se nëse nuk ka ardhje të njohjeve në adresë të Kosovës, atyre mund t’u shtyhet edhe për herë të dytë pushimi.Se vërtet mund të ndodhë një gjë e tillë e ka thënë për gazetën zëvendësministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Vlora Çitaku, të premten. Ajo ka treguar se fillimisht në kuadër të instruksioneve, diplomatëve u ishte thënë që të pezullonin pushimet e verës deri më 10 gusht, porse mund të jenë zhvillimet që mund t’ua shtyjnë atyre sërish ato.
“Ne në komunikimin tonë fillestar u kemi kërkuar të gjithë punonjësve të stafit diplomatik që të pezullojnë pushimet deri më datën 10 gusht, në mënyrë që të jenë të përqendruar në aktivitetet lobuese për rritjen e numrit të njohjeve për Republikën e Kosovës”, ka treguar Çitaku. “Ne varësisht nga zhvillimet do të japim edhe korrespodencën e dytë më 10 gusht, megjithatë nuk ka asgjë definitive, sepse kjo duket që do të jetë një verë e gjatë për misionet diplomatike të Republikës së Kosovës, por e rëndësishme është që të jetë e suksesshme ashtu siç duket se do të jetë”.
Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme ka theksuar se veç ministrit Skënder Hyseni, i cili po qëndron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për punën e njohjes së shtetit të Kosovës atij “s’ia lëshojnë rrugën” as diplomatët kosovarë. "Ne nuk mund të flasim në detaje për aktivitetet e shërbyesve tanë diplomatikë, por megjithatë ka takime të dendura”, ka thënë Çitaku. “Secili prej tyre po e bën pjesën e tij të punës duke u takuar me përfaqësuesit e vendeve që nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës dhe duke e afirmuar Mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë”.
Asnjë njohje nuk ka ardhur në adresë të Kosovës qëkur GJND-ja ka dhënë mendimin e saj, ndërsa Prishtina dhe Beogradi tashmë janë futur në një “maratonë” të re diplomatike. Deri më tash Kosova është njohur nga 69 shtete. E fundit që e ka njohur Kosovën është Republika e Somalisë, më 19 maj të këtij viti. (koha/albeu)
Shtuar më 31/07/2010, ora 13:27
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori