Nese shkembehen territore, shqiptaret e Maqedonise t'i bashkohen Shqiperise!
Albeu.com
Shkëmbimi i territoreve mes Kosovës dhe Serbisë përbën rrezik edhe për vendet tjera të rajonit. Sipas ish kryeministrit maqedonas Vllado Buçkovski, Maqedonia është vendi që do të bartë pasojat më të mëdha nga një tregti ...... eventuale mes Prishtinës dhe Beogradit për shkëmbimin e Veriut të Kosovës me Komunën e Preshevës. Buçkovski thotë se shpëtimi i vetëm nga skenarët për ndryshimin e kufijve në Ballkan, është anëtarësimi i rajonit në NATO.

"Gjithsesi se një gjë e tillë reflektohet tek ne. Maqedonia mund të bëhet viktima më e madhe në një variant të tillë. Andaj, kryeministri Gruevski duhet të jetë i vetëdijshëm se në këtë moment prioritet numër një është anëtarësimi në NATO që Maqedonia të evitojë të gjitha kalkulimet për krizat e mundshme që eventualisht do ta përfshinin rajonin", thotë Buçkovski.

Sipas kryetarit të BDK-së Hysni Shaqirit, shqiptarët nuk duhet të bien pre e skenarëve të tilla serbe.

"Shkëmbimi i territoreve është një lojë e Serbisë. Ajo çdoherë i ka provokuar shqiptarët. Politika e Kosovës duhet të tregohet shumë e mençur që të mos bjerë pre e kësaj politike pasi s’ka dialog për çështjen territoriale të shtetit të Kosovës. Presheva është territor i yni të cilin e kanë marrë serbët në vitin 1912", tha Shaqiri.

Megjithatë Shaqiri shton se me ndarjen e mundshme të Kosovës, shqiptarët e Maqedonisë gjithashtu duhet o të kërkojnë ose të bashkohen me Kosovën ose me Shqipërinë.

"Sa i përket shqiptarëve të Maqedonisë, ne aktualisht trajtohemi si pakicë dhe dihet se pakicat s’kanë të drejtë që të ndahen ose t’i bashkëngjiten ndonjë shteti. Për këtë arsye në si BDK kërkojmë referendum që të kemi një federatë në të cilën do të jemi popull shtetformues. Pastaj nëse maqedonasit nuk dëshirojnë të bashkëjetojnë me shqiptarët, edhe ne mund që nëpërmjet referendumit t’i bashkangjitemi Shqipërisë", tha Hysni Shaqiri.

Për Lubomir Frçkovskin, ish-ministër i punëve të brendshme, një skenar i tillë më tepër e rrezikon Bosnjën se sa Maqedoninë. "Megjithatë ne në Maqedoni duhet të jemi syçelë për gjithçka që ndodhë. Qëndrimi jonë i prerë duhet të jetë që mos të ndryshohen kufijtë", thekson Fërçkovski.

Ideja për ndryshimin e kufijve është komentuar edhe nga studiuesit shqiptarë të Maqedonisë dhe Shqipërisë të cilët janë takuar në Shkup në kuadër të bashkëpunimit për botimin e disa dokumenteve me interes kombëtarë. Studiuesit vlerësojnë se logjika e ndarjes i takon të kaluarës.

"Është jashtë çdo parafytyrimi që ende sot të flitet për gjëra të tilla. Të gjitha këto çojnë ujë në mullirin e atyre që e duan të keqen e shqiptarëve", vlerëson drejtoresha e arkivave të Shqipërisë, Nevila Nika.

"Ajo nuk mund të ndodhë kurrë sepse po të ndodhte një gjë e tillë, flaka e zjarrit luftës do të përhapej jo vetëm në Ballkan por do të shkojë edhe më gjerë",vlerëson historiani Ramiz Abdyli.

Ideja serbe për shkëmbimin e territoreve është kundërshtuar edhe në Prishtinë si nga autoritetet vendore ashtu edhe nga ato ndërkombëtare.

 
Maqedonia në vitin 2001 u kaplua nga sindromi i "shkëmbimit"

Gjatë konfliktit të vitit 2001 edhe në Maqedoni kishte një ide për shkëmbim të territoreve. Kryeministri I atëhershëm Lubço Georgievski, i përkrahur edhe nga Akademia e Shkencave pat propozuar që Tetova Gostivari dhe Dibra ti bashkëngjiten Shqipërisë, një pjesë e rajonit të Kumanovës t’i bashkëngjitet Kosovës, kurse Maqedonisë t’i bashkëngjiten disa rajone të Shqipërisë ku pretendohet se jetojnë maqedonas. Kjo ide e Georgeievskit, e cila parashihte edhe shkëmbimin e popullatës në këto territore, asokohe u kundërshtua ashpër nga udhëheqësia shtetërore e Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe përfaqësuesit e shqiptarëve të Maqedonisë.
Shtuar më 02/07/2010, ora 10:18
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori