Nenshkruhet vendimi per hapjen e paraleleve shqipe ne Idrizove
Albeu.com
Ministri i arsimit dhe shkencës se Maqedonise Pero Stojanovski, mbrëmë i dha fund problemit me paralelet shqipe në shkollën fillore “Petar Petroviç Njegosh” në Idrizovë.Stojanovski ka nënshkruar vendimin për hapjen e paraleleve shqipe nga klasa e pestë deri në të nëntën.
"Po sot kam nënshkruar vendimin, për hapjen e paraleleve plotësuese në Idrizovë. Për këtë, kompetencat janë të ndara, një pjesë i takon komunës dhe një pjesë Ministrisë. Zgjidhja e problemit ka faza, nuk mundet me deklarata apo metoda populiste të zgjidhen problemet. Ne duam të zgjidhim përgjithmonë problemin, zgjidhja e përhershme e problemit nënkupton procedurë, secila procedura do të thotë kohë", deklaroi Pero Stojanovski, ministër i Arsimit dhe Shkencës.
Lidhur me kërkesën e drejtorisë së gjimnazit “ZLM” që deri më 17 Tetor të këtij muaji ministri i Arsimit Pero Stojanovski të bëjë tërheqjen e paraleleve të ekonomisë të shkollës 'Cvetan Dimov' dhe paraleleve të mjekësisë së 'Pançe Karagjozovit' nga objekti i ri i gjimnazit Zef Lush Marku, ashtu siç u kishte premtuar vet ai, ministri Stojanovski tha se për këtë duhet kohë.
"Momentalisht grupe punuese nga MASH, vetëqeverisja lokale dhe nga shkolla punojnë dhe do të ofrojnë ndonjë zgjidhje konkrete, do ti kisha lutur edhe nxënësit edhe kolektivin në ZLM për pak durim, sepse me të vërtetë askush nuk donë tua marrë ndërtesën ajo është dedikuar për ZLM, ajo ka histori çka do të thotë se as Ministria nuk dëshiron ta uzurpojë e aq më pak nxënësit nga Pançe Karagjozov. Ajo është zgjidhje e përkohshme me cilën duam që nxënësit mos të humbin mësimin derisa të gjejmë zgjidhjen e përhershme", tha ministri Stojanovski.
Ndërkohë që është gjetur edhe një zgjidhje e përkohshme për nxënësit e shkollës së mesme ekonomike "Pero Nakov" paralelet me mësim në gjuhën shqipe nga Kumanova, të cilët për një javë po bojkotojnë procesin mësimorë. Ata nga e hëna ndërpresin bojkotin ndërsa pas një muaji do të transferohen në objektin numër 6 të kazermës së qytetit ku përkohësisht mësimin do ta vijojnë në kontejnerë.
"Kemi sjell dokument me shkrim të nënshkruar nga ana e ministrit se në buxhetin e vitit 2009 janë parapa mjete për ndërtimin, rekonstruimin e kazermës ku duhet të bëhet transferimi i nxënësve. Zgjedhja e kontejnerëve është afatshkurtër dhe pastaj me hapjen e tenderit, pasi mjetet janë të ndara do të fillojë rikonstruimi i objektit", deklaroi Lindita Qazimi, zëvendësministre e Arsimit dhe Shkencës.
Nxënësit shqiptarë të shkollës së mesme ekonomike "Pero Nakov" që nga viti 2001, mësimin e tyre e kanë vijuar në objekt me kushte të vështira në 10 mësonjëtore të vogla dhe në tre ndërrime.
Shkëlzen Aqifi, ALSAT-M
Shtuar më 16/10/2008, ora 20:53
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori