Nënshkruhet Memorandumi i Mirëkuptimit për Zgjatjen e tij për një Periudhë të Dytë 5-vjeçare
Në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD) pranë ambienteve të kryeministrisë, u organizua sot ceremonia e diplomimit të pjesëmarrësve aktualë (viti 2018) dhe prezantimit të atyre të rinj në Programin “LEAD Albania 2019”. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin Zëvendëskryeministrja e Republikës së Shqipërisë Znj. Senida Mesi, Kryetari i Bordit të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) Z. Michael Granoff, anëtarë të tjerë të Bordit, pjesëmarrës ndër vite të këtij programi etj.

AADF zbaton që nga viti 2013 Programin “LEAD Albania”, koncepti i të cilit është krijuar sipas Programit të Shtëpisë së Bardhë për Lidershipin, që është një nga programet më prestigjioze në SHBA për lidershipin dhe administratën publike. Programi për Përvojë dhe Zhvillim të Lidershipit në Shqipëri, ka si qëllim që t’u sigurojë profesionistëve të rinj dhe të talentuar shqiptarë përvoja të drejtpërdrejta në procesin e qeverisjes së Shqipërisë, shoqëruar nga një ndjesi e përfshirjes personale në lidershipin e shoqërisë sonë nëpërmjet një përvoje 1-vjeçare, që e vendos përfituesin në pozicionin e këshilltarit në kabinete qeveritare.

Gjatë këtij aktiviteti, u nënshkrua gjithashtu “Memorandumi i Ri i Mirëkuptimit me Qeverinë Shqiptare për Zgjatjen e Programit për një periudhë të dytë 5-vjeçare (2019 – 2024) me një financim prej 3.2 milion USD, duke e përllogaritur investimin total të programit në 5.7 milion USD.

Në fjalën e saj përshëndetëse, Zëvendëskryeministrja e Republikës së Shqipërisë Znj. Senida Mesi, duke shprehur kënaqësinë në zgjatjen e Programit “LEAD Albania” për një periudhë të dytë 5-vjeçare, theksoi sistemin e vlerave që mbart ky program ambicioz në drejtim të rritjes së standardeve brenda administratës publike dhe me kontribut drejt përmirësimit e rritjes së shërbimeve cilësore ndaj çdo qytetari të vendit.

“Janë 48 individë që janë bërë deri më sot pjesë e Programit “LEAD Albania”, dhe më vjen shumë mirë kur dëgjoj që nga 70% e pjesëmarrësve në Program të cilët vijnë nga sektori jo-publik, 45% e tyre vijojnë të zhvillojnë karrierën e tyre dhe të jenë të punësuar në sektorin publik. Ky fakt më jep shpresë, sepse sjell brenda administratës sonë publike frymën e sektorit privat dhe më shton besimin se do të kontribuojë sadopak tek administrata që duam”, ndër të tjera u shpreh Znj. Mesi.

Programi synon të krijojë mundësi të reja për rritje kapacitetesh nëpërmjet përvojave konkrete, afatgjata të trajnimit në sektorin publik në Shqipëri. Për kandidatët e shkëlqyer, të përzgjedhur nëpërmjet një procesi konkurrues dhe rigoroz, ofrohet mundësia për të punuar në stafet drejtuese të institucioneve qeveritare për një vit. Gjatë këtij viti, pjesëmarrësitProgram kanë punuar me kohë të plotë nën drejtimin e zyrtarëve më të lartë qeveritarë dhe kanë pasur mundësi të mësojnë për funksionimin e brendshëm dhe me jashtë të qeverisjes, si dhe për sfidat me të cilat përballen institucionet qeveritare në punën e tyre. Me talentet dhe aftësitë e tyre, pjesëmarrësitProgram kanë pasur mundësinë të kontribuojnë në veprimtaritë e institucioneve, ku kanë punuar gjatë vitit të programit.

Programi përzgjodhi vitin e kaluar, për brezin e pestë, 10 individë, të cilët patën mundësi të punonin si këshilltarë në kabinetin e Kryeministrisë, të disa Ministrive dhe në Bashkinë e Tiranës. Përvoja e punës për pjesëmarrësit u pasurua me një komponent edukimi, ku u trajtuan tema si integrimi evropian, politikat publike, politika e jashtme, politika të sigurisë apo zhvillim të kompetencave sociale dhe aftësive të lidershipit. PjesëmarrësitProgram janë pjesë e një serie takimesh dhe tryezash të rrumbullakëta me drejtuesit të lartë të shtetit, të institucioneve të drejtësisë, drejtues politikë, zyrtarë të lartë të nivelit qendror të qeverisjes, drejtues organizatash jo-qeveritare, diplomatë, etj.

Klasa e vitit 2018-2019 përbehet nga 10 individë, të cilët do të kenë mundësi të japin kontributin e tyre si këshilltarë në kabinetin e Kryeministrisë, në disa Ministri dhe në Bashkinë e Tiranës.
Shtuar më 04/10/2018, ora 18:26
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori