Nënshkruhet Memorandumi i Mirëkuptimit, Italia jep 5 mln euro për Arsimin Profesional
Italia do jetë një nga partnerët kryesorë të vendit tonë në zhvillimin e Arsimit Profesional edhe për vitin 2016. Për këtë qëllim është nënshkruar sot në ambientet e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Memorandumi i Mirëkuptimit midis Shqipërisë dhe Italisë, i cili bazohet mbi Protokollin dypalësh italo-shqiptar 2014-2016, dhe që parashikon shprehimisht që “kontributi italian në arsim dhe formim profesional, prej 5 milion eurosh, do të përqendrohet në ata sektorë prodhues ku Shqipëria ka një potencial të madh dhe Italia një përvojë të shkëlqyer”, siç është bujqësia dhe agrobiznesi.

Për palën shqiptare, memorandumi është nënshkruar nga ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, ndërsa për palën italiane, ai është firmosur nga ambasadori i Italisë në vendin tonë, Alberto Cutillo. Pas nënshkrimit të memorandumit u bë dhe një prezantim i projekteve që do të mbështeten prej tij.

Në fjalën e tij pas nënshkrimit të këtij memorandumi, ministri Klosi u shpreh se pas përurimit të laboratorit të formimit të modelistëve të këpucëve disa ditë më parë, ky memorandum është një tjetër angazhim konkret në ndihmën që qeveria italiane i jep vendit tonë në aspektin e zhvillimit të Arsimit dhe Formimit Profesional.

“Jemi mbledhur sot këtu për të hedhur një hap të rëndësishëm përpara në marrëdhëniet italo-shqiptare në sektorin e arsimit dhe formimit profesional. Sot firmoset një Memorandum Bashkëpunimi midis dy vendeve tona, fryt i një pune të përbashkët disa mujore të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe të Kooperacionit Italian për Zhvillim. Është një investim shumë i rëndësishëm prej plot 5 milionë eurosh për Arsimin dhe Formimin”, tha ministri Klosi në fjalën e tij.

Gjithashtu, ai vuri theksin se ky memorandum merr një rëndësi të veçantë, pasi kërkon të mbështesë ata sektorë të Arsimit Profesional, ku vendi ynë ka një potencial të madh për zhvillim, siç është bujqësia dhe agrobiznesi. “Investimi parashikon rikonstruksionin e godinave të shkollave, krijimin e laboratorëve, të gjitha këto të një teknologjie bashkëkohore, për të realizuar në këto shkolla një arsim profesional, i bazuar tashmë në një sistem të zgjedhur dual dhe duke përfituar edhe nga përvoja e shkëlqyer italiane. Bujqësia dhe arsimi profesional janë për qeverinë shqiptare prioritete që tashmë janë afirmuar edhe nëpërmjet një sërë projektesh të suksesshme”, u shpreh ministri Klosi.

Ai shtoi se ky investim do bëjë të mundur krijimin e profesionistëve të vërtetë në fushën e bujqësisë dhe përpunimit bujqësor, çka do të jetë një ndihmë e drejtpërdrejtë për të gjitha ato biznese që ushtrojnë aktivitet në këto fusha jo vetëm në zonat e Fierit e Lushnjës, por edhe në rajonet përreth. “Orientimi i arsimit profesional në zonat e ndryshme të vendit do jetë i studiuar, për të ofruar ato degë dhe zanate që u përshtaten më mirë nevojave të zonës”, tha ministri Blendi Klosi.

Nga ana e tij, ambasadori italian në vendin tonë, Alberto Cutillo u shpreh se zhvillimi i sistemeve efikase i kualifikimit profesional është me një interes të madh dhe një angazhim i vazhduar i Italisë në Shqipëri. “Është zgjedhur qarku i Fierit duke menduar që realizimi i kësaj Qendre Ekselence të Arsimit Profesional do të sjellë një shtysë të re në përgatitjen e studentëve dhe futjen e tyre në tregun e punës. Jam i bindur që sistemi italian i arsimit dhe formimit profesional mund të jetë një pikë referimi efikase, sepse sistemi ynë i arsimit dhe formimit profesional është shumë i përgatitur, shumë i kualifikuar, sidomos në disa sektorë dhe bëhet fjalë pikërisht në sektorin bujqësor dhe të ushqimit. Është një sistem që ka të bëjë me të drejtat e njeriut dhe të drejtat për punësim dhe forcimin e aftësive të nxënësve”, tha ambasadori Cutillo.

Memorandumi bazohet në Strategjinë Kombëtare për Punësim dhe Aftësi 2014-2020, dhe përmban: i) një panoramë të detajuar të nevojave për arsim dhe formim profesional në përgjithësi, dhe në sektorin e bujqësisë dhe agropërpunimit në veçanti; ii) objektivin e përgjithshëm të projekt-propozimit, i cili është totalisht i harmonizuar me strategjitë kombëtare dhe me qasjen sektoriale të procesit të integrimit europian; iii) objektivave specifikë që përcaktojnë dy shkollat profesionale bujqësore të Qarkut të Fierit, si objekt i ndërhyrjes, për shkak të potencialit të madh prodhues dhe pranisë së dendur të sipërmarrjeve bujqësore dhe agropërpunuese në këtë Qark.

Memorandumi parashikon që ndihma e qeverisë italiane, në përputhje me politikat qeveritare, do të shkojë për krijimin e një qendre multifunksionale të ekselencës në sektorin bujqësor dhe agropërpunues në Fier, e aftë për të formuar teknikë të mesëm dhe të lartë në rang kombëtar, në përputhje me kërkesat e tregut të punës, si dhe kualifikimin e shkollës Mekanike Bujqësore në Lushnjë. Ndërhyrjet e parashikuara do të përfshijnë ristrukturimin e ndërtesave të shkollave, konvikteve, ndërtimin e laboratorëve dhe ambienteve të praktikave mësimore, pajisjen me makineri dhe mjete profesionale.

Gjithashtu, shkollat profesionale do të kenë mundësi të përfitojnë nga një asistencë teknike e specializuar në arsimin dhe formimin profesional. Ndërkohë që në zbatim të këtij memorandumi, në javët në vijim stafi i Ministrisë dhe i Agjencive në varësi të saj, së bashku me përfaqësuesit e Kooperacionit Italian, do të formulojnë propozime konkrete dhe do të finalizojnë projekt-propozimin, i cili do t’u shkojë për miratim qeverisë shqiptare dhe asaj italiane, në mënyrë që në një hark kohor sa më të shkurtër të bëhet i mundur implementimi i tij. /albeu.com/

Shtuar më 22/12/2015, ora 13:28
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori