Nënshkruhet Marrëveshja për mbrojtjen dhe promovimin e investimeve mes Turqisë dhe Kosovës
Albeu.com
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë Bujar Dugolli gjatë vizitës disa kitësh në Turqi me homologun e tij turk Ali Xhoshkun nënshkruan Marrëveshjene për mbrojtjen dhe promovimin e investimeve të dyanshme në mes Turqisë dhe Kosovës. Kjo është marrëveshja e parë e këtij lloji e nënshkruar në mes Kosovës dhe ndonjë vendi tjetër.Ministri turk Ali Xhoshkun shprehu kënaqësinë për marrëveshjen e arritur në mes Kosovës dhe Turqisë, si dhe për marrëdhëniet tradicionale në mes të dy vendeve.
Ndërkaq ministri Dugolli e vlerësoi marrëveshjen si fillim të mbarë të marrëdhënieve bilaterale në mes të dy vendeve dhe interesin e tij që në të ardhmen këto marrëdhënie të zgjerohen në fusha të tjera të bashkëpunimit reciprok.
Dugolli tha se nënshkrimi i kësaj marrëveshjejeje është institucionalizim i bashkëpunimit ekonomik në mes të dy vendeve, rezultat i së cilës do të jetë përfshirja e komunitetit të biznesit turk me investime në Kosovë në masë më të madhe se deri më tashti dhe duke qenë të mbështetur nga Qeveria turke.
Gjatë qëndrimit në Turqi, ministri Dugolli vizitoi edhe Unionin e Odave dhe Shkëmbimeve të Produkteve në Turqi (TOBB), me seli në Ankara, ku u prit nga kryetari i TOBB së, Rifat Hisarxhilkioglu dhe zyrtarë tjerë të lartë të TOBB së. Në takim ishte edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, z. Besim Beqaj dhe një grup i biznesmenëve nga Kosova.
Ministri Dugolli, po ashtu u takua edhe me ambasadorin turk për Integrime Evropiane Oguz Demiralp, nga i cili kërkoi që Qeveria turke të mbështesë Kosovën në procesin e integrimeve evropiane dhe ta përkrahë atë në fazën e definimit të statusit. Çështje tjetër e cila u potencua nga ministri Dugolli ishte çështja e vizave turke për banorët e Kosovës, si pengesë e qarkullimit të lirë të njerëzve dhe posaçërisht të bizneseve, ku kërkoi nga ambasadori Demiralp që të iniciojë këtë çështje në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Turqisë.
Mikpritësi, nga ana e tij, theksoi gatishmërinë e palës turke për ta ndihmuar Kosovën edhe në fushën politike dhe ekonomike, dhe se çështjen e vizave do ta bisedonte menjëherë me ministrin e Punëve të Jashtme dhe personalisht do të interesohet që ato të hiqen për kosovarët.
Ministri Dugolli, gjatë qëndrimit të tij në Turqi pati edeh shumë takime të tjera, thuhet në një njoftim për media të MTI. qik
Shtuar më 10/04/2006, ora 18:08
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori