Nënkryetari i KQZ nën hetim për tenderin 60 milionë lekë
Nënkryetari i KQZ-së dhe kandidati për në Gjykatën Kushtetuese, Denar Biba, është vënë nën hetim administrativ nga Agjencia e Prokurimeve Publike.

Hetimi i nisur ndaj Denar Bibës lidhet me një tender me vlerë rreth 60 milionë lekë për blerjen e materialeve zgjedhore, në kohën kur ai drejtonte Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Përmes një shkrese drejtuar KQZ-së, Agjencia e Prokurimeve Publike kërkon informacion të thelluar për procedurën e prokurimit dhe dokumentacionin e plotë të të gjithë ofertuesve.

Sipas të dhënave të paraqitura në kërkesën e APP-së, kontrata mes kreut të KQZ-së, Denar Biba dhe kompanisë fituese është lidhur më datë 12 prill 2017.

Kompania fituese e këtij tenderi ka ofruar për KQZ-në, dhoma të fshehta dhe kuti kartoni, PV me letër kimike, zarfe sigurie, prodhim i tabelave të rezultateve, manuale trajnimi, si dhe prodhim dhe afishim i materialeve promocionale për zgjedhjet 2017.

Në kërkesën e saj drejtuar KQZsë, Agjencia e Prokurimeve Publike nuk bën të ditur arsyet e nisjes së këtij hetimi ndaj Bibës, por besohet se pakënaqësitë e shprehura nga pjesëmarrësit e tjerë në këtë tender të kenë nxitur fillimin e kësaj çështjeje.

APP ka paralajmëruar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që brenda shtatë ditëve t’i dorëzojë dokumentacionet e kërkuara, pasi në të kundërt do të përballet me ligjin.

KANDIDIMI

Emri i Denar Bibës është në listën e gjatë të kandidatëve për në Gjykatën Kushtetuese.

Nënkryetari i KQZ-së ka shprehur interes për të zënë një nga dy vendet bosh në Kushtetuese bashkë me juristë dhe përfaqësues të fushës së drejtësisë.

Përmes një vendimi, Kuvendi hapi procedurën për anëtar të Gjykatës Kushtetuese për zëvendësimin e gjyqtarit Vladimir Kristo dhe një vendi të ngelur vakant, pas largimit të gjykatësit Sokol Berberi.

Nënkryetari i KQZ-së, Denar Biba, është njëri prej 20 kandidatëve për këtë pozicion. Lista me 38 kandidatë pritet të shqyrtohet nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi dhe më pas do t’i kalohet Kuvendit të Shqipërisë për votim.

Gjykata Kushtetuese është futur në ngërç pas shkarkimit nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit të gjyqtarit Fatos Lulo. Nga 9 anëtarë që ka kjo gjykatë, aktualisht janë vetëm 4 anëtarë, duke bërë të pamundur çdolloj vendimmarrje. /Panorama/
Shtuar më 25/03/2018, ora 12:29
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori