Artan Hoxha: Përdhunuesi shqiptar nuk u kap, por u vetëdorëzua, policia shqiptare e “mashtroi”

Arratia e 45-vjeçarit nga Vlora të kërkuar në Greqi për përdhunimin e një gruaje, përfundoi me ekstradimin e tij të menjëhershëm tek autoritet greke.

I ftuar në “Abc Live”, gazetari investigativ Artan Hoxha, ka komentuar këtë rast duke përgënjeshtuar policinë e Vlorës, pasi sipas tij Spartak Dyrmishi, nuk është kapur por është vetëdorëzuar.

Hoxha ka theksuar se Dyrmishit i është premtuar se nuk do të ekstradohet menjëherë por do të pritet vendimi i gjykatës, por policia e Vlorës sapo i ka vënë prangat e ka dorëzuar direkt në kufi tek pala greke.

“Ai i ka ikur policisë. Ka qenë një oficer i policisë që ka shkuar ta takojë. I ka thënë se duhet të dorëzohesh dhe do gjykohesh në Shqipëri. Iu ofruar garanci se nuk do ekstradohet. Ai ka hipur në makinë e oficerit dhe është dorëzuar.”

“Në këtë moment policia nuk ka ndjekur asnjë procedura ligjore dhe e ka nisur me furgon drejt Greqisë dhe e ka dorëzuar atje. Kjo është e paprecedentë. Me Greqinë hera e parë që ndodh. Se ai u dorëzua, dhe ai u deportua dhe nuk u bë me vendim gjykate për kushtet e ekstradimit.”

“ Është dorëzuar menjëherë dhe autoritet tona nuk duhen të gënjejnë. Sot duhet të njoftojnë familjarët se cilat procedura kanë ndjekur për dorëzimin e tij”