Si iu përgjigjën Kurti e Vuçiç kërkesave të BE-së?

Pika e vetme për të cilën u tha se janë pajtuar në Bruksel kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

Dy udhëheqësit zhvilluan më 22 qershor takime të ndara me shefin e politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.

“Takimi nuk u fokusua shumë në çka, por në atë se si dhe kur”, tha Borrell.

BE-ja dhe pjesa tjetër e komunitetit ndërkombëtar ka kohë që kërkojnë nga Qeveria e Kosovës ta shtensionojë situatën në veri.

Kjo zonë u tensionua qysh në fund të majit, kur kryetarët shqiptarë të komunave Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, hynë në objektet komunale, me gjithë protestat e banorëve serbë.

Këto objekte shfrytëzohen edhe nga autoritetet paralele serbe, ndërsa vetëm në Mitrovicë të Veriut, komuna e Kosovës është e ndarë prej asaj që funksionon nën sistemin serb.

Protestat kulmuan në dhunë më 29 maj në Zveçan, ku dhjetëra pjesëtarë të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, dhe dhjetëra protestues u plagosën.

Nga ajo kohë, Policia e Kosovës arrestoi disa serbë të dyshuar për akte dhune ndaj forcave policore, pjesëtarëve të KFOR-it dhe gazetarëve në veri.

Zgjedhjet e prillit, prej të cilave dolën kryetarët shqiptarë, u bojkotuan nga komuniteti serb dhe përfaqësuesit e tij politikë.

Zgjedhjet e reja dhe pjesëmarrja e serbëve në to tani shihen si zgjidhje.

Çka kërkoi BE-ja?

Janë tri kërkesa kryesore që, sipas Bashkimit Evropian, Qeveria e Kosovës duhet t’i pranojë “sa më parë që të jetë e mundur”.

Një prej tyre është shpallja e zgjedhjeve të parakohshme në veri të vendit.

Kurti u pajtua me këtë, por me kushtin që ato të jenë “zgjedhje ligjore”.

“Nuk mund të bëhen zgjedhjet e parakohshme jashtë ligjit. Siç e parasheh ligji në Kosovë – ta zëmë, me nënshkrimet e qytetarëve, të cilët i mbledhin përmes një peticioni, që t’ia përfundojnë mandatin një kryetari të komunës. Kjo është një zgjidhje brenda ligjit”, tha Kurti pas takimit me Borrellin në Bruksel.

Në një konferencë për media po atë ditë, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, Lista Serbe, kërkoi “dorëheqjen e kryetarëve shqiptarë” si një rrugë që mund të çojë drejt zgjedhjeve të reja.

Kurti, më herët, ka thënë se nuk ka të drejtë t’u kërkojë dorëheqje kryetarëve të zgjedhur, sepse ajo është një akt moral.

Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, Izmir Zeqiri, kryetari aktual i Zubin Potokut, tha se nuk është duke menduar për zgjedhje, edhe pse ato janë duke u përmendur.

“Si dorëheqje, pse dorëheqje? Vetëm se i teket dikujt të thotë të jap dorëheqje, unë të dorëhiqem, a?”, u shpreh Zeqiri.

“Ne i shohim rrugët ligjore, nuk mendojmë për zgjedhjet. Njëherë jemi duke punuar, do të punojmë sa të mundemi”, tha ai.

Kryetarët e tjerë të komunave veriore nuk ishin të qasshëm për komente në lidhje me këtë çështje.

 Kërkesat e tjera për Kurtin

Borrell tha, po ashtu, se ka kërkuar nga Kurti që t’i tërheqë njësitë speciale të Policisë së Kosovës nga zonat rreth objekteve komunale, ku gjenden aktualisht.

Kurti u përgjigj duke thënë: “Policia nuk është afër godinave, por është brenda në ndërtesa”.

“Prania e tyre nuk është e dëshirueshme për ne, por është e obligueshme, duke pasur parasysh ekstremistët e dhunshëm që kanë qëlluar mbi ushtarët e KFOR-it, policët e Kosovës dhe gazetarët”, tha Kurti.
Borrell tha se ka kërkuar nga Kurti që edhe kryetarët e zgjedhur shqiptarë, të punojnë përkohësisht në ndërtesa alternative, e jo në ato komunale.

Aktualisht, kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, është duke punuar brenda objektit komunal, ashtu si dhe Lulzim Hetemi i Leposaviqit.

“Ne ia përkujtuam zotit Borrell dhe zotit [Mirosllav] Lajçak [përfaqësues i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi] se dhuna më e madhe që ka ndodhur, ka ndodhur në Zveçan, ku kryetari i komunës nuk ka qenë brenda në zyrë”, tha Kurti, duke përsëritur se kryetarët duhet të punojnë nga zyrat e tyre.

Vuçiç i heshtur ndaj kërkesave të BE-së

Me qëllim shtensionimin e situatës në veri, Borrell tha se ka paraqitur disa kërkesa edhe për presidentin e Serbisë, Vuçiq.

Një prej tyre është që protestuesit të tërhiqen nga ndërtesat komunale në veri, në të njëjtën kohë kur të tërhiqen njësitë speciale të Policisë së Kosovës.

Serbisë iu kërkua, po ashtu, lirimi i tre policëve të Kosovës, të arrestuar nga forcat serbe më 14 qershor, “në mënyrë të menjëhershme dhe pa kushte”.

Në Serbi ata dyshohen për “armëmbajtje pa leje”, ndërsa në Kosovë besojnë se ata janë arrestuar në shenjë hakmarrjeje për arrestimet në veri.

Në një konferencë për media, pas takimit në Bruksel, Vuçiq nuk u përgjigj në asnjërën prej këtyre kërkesave.

“Ne do të vazhdojmë të bisedojmë në baza ditore, sepse paqja dhe stabiliteti janë kyçe, por unë paralajmërova se serbët [në Kosovë] janë në një pozitë shumë të vështirë dhe se nuk duan ta durojnë terrorin e Kurtit në atë mënyrë që janë detyruar ta durojnë deri në këtë moment”, tha Vuçiq.

Çka tha Lista Serbe?

E, si “kusht mbi të gjitha kushtet”, ai përmendi “fillimin” e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Për këtë asociacion, Kosova dhe Serbia janë pajtuar qysh në vitin 2013, por marrëveshja për të nuk është zbatuar kurrë. Prishtina zyrtare vazhdimisht ka thënë se kompetencat e tij të gjera do të rrezikonin funksionalitetin e brendshëm të shtetit.

Radio Evropa e Lirë pyeti Listën Serbe nëse do të pranonte ndonjë zgjidhje kompromisi për mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri, por, deri në publikimin e këtij teksti, nuk mori përgjigje.

Përgjigje në këtë pyetje nuk ktheu as Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.
Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, përshkroi disa hapa që, sipas tij, duhet të ndërmerren para se kjo parti të pranojë të marrë pjesë në zgjedhje.

Si hap kryesor, ai përmendi tërheqjen e njësisë speciale të Policisë së Kosovës nga veriu. Vakumi i sigurisë që do të krijohej me këtë, sipas tij, do të duhej të plotësohej nga KFOR-i dhe misioni i BE-së për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX.

Kërkesa e dytë, sipas tij, është amnistia për të gjithë serbët e arrestuar në dy-tre vjetët e fundit – qoftë për pjesëmarrje në barrikada apo në protesta të ndryshme kundër vendimeve të Qeverisë së Kosovës.

Shumica e këtyre të arrestuarve akuzohen për “shkelje të rendit kushtetues”.

“Ne nuk kërkojmë lirimin e kriminelëve, kërkojmë amnisti për personat e arrestuar që kanë marrë pjesë në protesta apo barrikada. Kjo është diçka që aplikohet kudo në botë, ku ka zona krize”, tha Rakiq./rel