Negociatat fillojnë, kosovarët paraqesin pozicionin nismëtar
Albeu.com
Grupi negociator i Kosovës për statusin i dorëzoi sot të dërguarit special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për statusin e Kosovës, Marti Ahtisari, dokumentin rreth pozicionit të Kosovës për statusin. Me këtë akt sot filluan edhe zyrtarisht bisedimet rreth statusit të Kosovës. “Fillimi i mbarë për Kosovën“, u vlerësua takimi i parë i Ekipit Neogociator me të dërguarin e Kombeve të Bashkuar për statusin Marti Ahtisari, i cili në këtë mënyrë ka nisur diplomacinë e tij të vajtje ardhjeve, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për statusin e Kosovës. Presidenti Rugova tha t’i ketë dorëzuar Ahtisarit në formë të shkruar qëndrimin e palës kosovare për statusin. ”Delegacioni ynë ia dorëzoi një dokument zotit Ahtisari për projektin tonë të pavarësisë. Një dokument zyrtar i delegacionit dhe institucioneve të Kosovës, ku i kemi shtruar të gjitha çështjet, si vullneti ynë për bashkëpunim me presidentin Ahtisari, me bashkësinë ndërkombëtare dhe për çështje specifike në Kosovë, natyrisht pavarësia është çështja kryesore. Si dhe integrimi në BE dhe NATO, pastaj siguria dhe garancitë për minoritetet”, tha Rugova Ai përsëriti edhe njëherë qëndrimin e tij për njohjen e drejtpërdrejtë të pavarësisë së Kosovës duke dhënë garanci për mbrojtjen e pakicave.
Duke kujtuar rolin e Ahtisarit në parandalimin e gjakderdhjes së mëtejmë në Kosovë në vitin ‘99, Rugova shprehu besimin se ish presidenti finlandez do ta kryej mirë misionin e tij. ”Ahtisari e njeh këtë çështje dhe besoj tash ka ardhur koha ta kryejmë këtë biznes me pavarësinë e Kosovës”, tha ai.
Anëtari tjetër i Ekipit Negociator Hashim Thaçi, vlerësoi se takimi i sotëm paraqet një fillim të mbarë të palës kosovare në këtë proces.
“Delegacioni i Kosovës prezantoi qëndrimet e qarta, unike për ndërtimin e shtetit të pavarur dhe sovran, për një status që do t’i hapte perspektivën evropiane vendit dhe do të ndikonte për stabilitetin dhe paqen në rajon”, deklaroi Thaçi.
Pas takimit me Ekipin Negociator, Marti Ahtisari nuk ka folur para mediave. Pasdite ai ka zhvilluar një takim në manastirin e Deçanit me përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë si dhe përfaqësues politikë të serbëve të Kosovës. Ahtisari nesër pritet të takojë edhe pakicat e tjera joserbe të Kosovës, të cilët kanë shprehur gatishmërinë e tyre që të marrin pjesë në bisedimet për statusin e Kosovë. Kryenegociatori ndërkombëtare, pas Prishtinës viziton edhe Beogradin, Tiranën, Podgoricën dhe Shkupin.
Para se të largohet nga Kosova ai pritet të mbajë një konferencë shtypi, për të dhënë vlerësimet e tij pas takimeve të para që ka pasur në Kosovë. rtk
Shtuar më 22/11/2005, ora 23:25
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori