Ne vjeshte priten bisedime Prishtine-Beograd?
Albeu.com
Pas këmbënguljeve të shtuara të faktorit ndërkombëtar, janë rritur gjasat që Prishtina e Beogradi të rifillojnë brenda këtij viti bisedimet ndërmjet tyre. Burime diplomatike i thanë BBC-së se idesë së zhvillimit të bisedimeve për ...... çështje teknike i është dhënë një shtysë e re pas vizitave të diplomatëve të lartë amerikanë dhe evropianë në Beograd e Prishtinë këto javët e fundit.

Zyrtarët ndërkombëtarë kërkojnë që të hiqet dorë nga këmbëngulja për hapjen e çështjes së statusit.

Megjithëse jo në mënyrë të drejtpërdrejtë, shefi i diplomacisë italiane, Franco Frattini, la të kuptohet në Prishtinë se bisedimet mes të dyja palëve do të mund të fillojnë menjëherë pas takimit rajonal në Sarajevë, që pritet të zhvillohet në qershor, nën organizimin e BE-së.

BBC-ja ka mësuar se tri mendohet të jenë fushat kryesore të bisedimeve mes palëve: decentralizimi, trashëgimia kulturore dhe veriu i Kosovës, që të tria të negociuara edhe gjatë bisedimeve të ndërmjetësuara nga ish-i dërguari i OKB-së, Martti Ahtisaari.

Burimet thonë se Prishtina zyrtare do të mund të krijojë të paktën tetë grupe punuese të cilat do të ndihmonin në përgatitjen teknike të bisedimeve.

Sipas po të njëjtave burime, bisedimet e ripërtërira mes Prishtinës e Beogradit do të lehtësohen, fillimisht, nga diplomatë evropianë që aktualisht janë në Kosovë.

Mësohet se ambasadori italian, Michael Giffoni, që është emëruar i dërguar i BE-së për veriun dhe ambasadori grek Dimitris Moschopoulos, i dërguar i BE-së për trashëgiminë kulturore, do të mund të ndihmojnë në lehtësimin e dialogut për çështjet teknike.

Faza përgatitore besohet të jetë muaji gusht i këtij viti, për të hapur pastaj rrugën për fillimin e bisedimeve në nivelin teknik, që megjithatë, mendohet se do të rritet në një përfaqësim ministror duke i dhënë, siç mendohet, seriozitet më të madh bisedimeve.

Burime diplomatike thanë se rihapja e një numri diskutimesh, duke përjashtuar çështjen e statusit, ka shumë gjasa që të bëhet menjëherë pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Gjykata mund ta shpallë vendimin, më së largu, deri nga muaji korrik, ashtu siç ishte paraparë edhe në fillimin e punës së saj, pavarësisht kërkesave të Beogradit për shtyrjen e vendimit deri në nëntor të këtij viti.

Megjithatë profesori i studimeve kombëtare për sigurinë në SHBA, Nikolas K. Gvosdev, sugjeron në një intervistë për BBC-në se vendimi i Gjykatës do të ishte më mirë që të shtyhej për një periudhë, që tu mundësojë të dyja palëve që të përfshihen në bisedime teknike…

"Mendoj se (bisedimet) duhet të fillojnë para se GJND-ja të japë një vendim, sepse kur Gjykata të marrë një vendim në njërin drejtim ose në tjetrin, kjo do ta bëjë procesin më të vështirë dhe do të ashpërsojë qëndrimet e të dyja palëve. Tani për tani, nëse Gjykata e shtyn vendimin deri të paktën në nëntor të këtij viti, atëherë ka më shumë hapësirë për t'i filluar këto bisedime. Kjo varet se si do të shkojnë gjërat, por kur të shpallet vendimi, njëra apo tjetra palë mund të thotë se nuk kemi nevojë të bisedojmë sepse tani kemi vendimin. Duke e ditur se GJND-ja mund të shtyjë vendimin ose nuk është ende e gatshme që ta marrë atë, kjo është një mundësi e mirë për t'i ulur të dyja palët në një tavolinë", i tha BBC-së profesori Gvosdev. Ai shtoi se BE-ja mund të ndihmojë që Kosova dhe Serbia të arrijnë një marrëveshje që Beogradi ta njohë Kosovën dhe që Kosova, si shtet, të njohë interesat serbe .

Sidoqoftë, bisedimet për arritjen e një marrëveshjeje të qëndrueshme mes palëve do të mund të rifillojnë këtë vjeshtë dhe palët, Prishtina dhe Beogradi, do t’i konsiderojnë ato sipas interesit të tyre, bisedime teknike apo për statusin.

Diplomatët perëndimorë thonë se ato të paktën do të mund të hapin rrugën e integrimeve evropiane për të dyja vendet.

Bëhet me dije, ndërkaq, se bisedimet më të vështira do të mund të jenë ato për veriun e Kosovës dhe procesin e decentralizimit, që tashmë ka filluar të zbatohet sipas planit Ahtisaari, në disa prej vendbanimeve me shumicë serbe, por me përjashtim të veriut të vendit.
Shtuar më 03/05/2010, ora 21:28
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori