Ne Spitalin Turk ne Tirane kryhet transplanti i pare i veshkave
Pëlqej
Albeu.com
Per here te pare ne Shqiperi "Balkan Alliance Medical Center" kryen transplantin e veshkave. Ekipi i mjekeve ishte i perbere nga mjek nga Turqia, SHBA, Austria dhe Shqiperia. Pacientet i vizitoi dje Kryeministri Berisha, M. i Mbrojtes dhe ai i Shendetesise.Edhe pse 50 vjet me vonesë, operacionet e transplantit të veshkave janë kryer edhe në Shqipëri. I pari që ka startuar këtë ndërhyrje të vështirë kirurgjikale ka qenë spitali privat turk, i cili qëndron në ambientet e Spitalit Ushtarak, në Tiranë. Vetëm katër ditë më parë, një grup i specializuar mjekësh, në këtë fushë të ardhur nga Turqia, Amerika dhe Austria kanë bërë të mundur të kryejnë operacionin e parë të këtij lloji në vendin tonë. Fatin e ka pasur një 22-vjeçar nga Vlora, dhuruese për të cilin është bërë nëna e tij. Mezan Selimaj ka qenë i pari në radhën e pritjes për të kryer transplantin e veshkës dhe duket i fundit në familjen e tij, që ka shpëtuar nga kjo sëmundje. Jo shumë vite më parë ai ka humbur babanë, si dhe dy motra, të cilat kishin të njëjtën diagnozë të mosfunksionimit normal të veshkave. Mezani qëndron ende nën vëzhgimin e rreptë mjekësor, pasi sipas mjekëve, që kanë kryer operacionin edhe pjesa post-transplant është shumë e rëndësishme dhe kërkon vëmendje të madhe për rikuperimin e plotë shëndetësor të pacientit. Që prej katër vitesh, Mezani i ishte nënshtruar terapisë së dializës, mjaft e kushtueshme, por që thjesht e ka mbajtur në jetë, deri në momentin final.

Pacienti i dytë që ka mundur t‘i thotë lamtumirë veshkës së tij të sëmurë, për ta rikuperuar me organin e dhuruar nga i ati ka qenë një 19-vjeçar nga Kavaja. Operacioni i tij u krye vetëm një ditë pas të parit nga i njëjti grup mjekësor, që i bënë publike këto ndërhyrje vetëm dje, ndërsa ishin të sigurt për suksesin e këtyre dy ndërhyrjeve kirurgjikale. Këto kanë përkuar edhe me njëvjetorin e funksionimit të këtij spitali privat turk, në vendin tonë. Të dy transplantet e para të kryera në këtë spital janë bërë falas për pacientët, ndonëse ato klasifikohen si operacione me kosto shumë të lartë. Për këtë kanë ndihmuar financiarisht qeveria shqiptare, së bashku me Ministrinë e Mbrojtjes dhe atë të Shëndetësisë. Sipas drejtuesve të këtij spitali, transplantet e veshkës do të vazhdojnë dhe kostoja për ta do të variojë nga 15-20 mijë euro.

Stafi i profesorëve në operacion drejtohej nga prof. dr. Sadik Ersoz, shef i katedrës së nefrologjisë në Universitetin e Ankarasë, si dhe shef i Qendrës së Transplanteve në UA. Në operacion kanë marrë pjesë edhe prof. dr. Mouin Seikaly, shef i Qendrës së Transplanteve të Universitetit Dallas, Texas, Prof. Dr. Thomas Muller, pediatër nefrolog, shef i Qendrës së Transplanteve në Universitetin e Vjenës, Dr. Alexander Schneider Nefrolog. Por, nuk kanë munguar as dy mjekë shqiptarë. Prof. dr. Myftar Barbullushi nefrolog dhe dr. Arjan Hodo, kirurg urolog kanë asistuar në këto ndërhyrje, për të fituar eksperiencën e realizimit të pavarur të tyre, në të ardhmen. /G. Shqip/
Shtuar më 18/11/2007, ora 21:10
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori