Në spital pacientë të dyshuar për COVID-19, eksperti Dasho ngre shqetësimin
Eksperti i Shëndetit Publik, Erion Dasho, thotë se është shqetësues fakti se në dy spitalet ku trajtohen pacientë të prekur nga COVID, ka më shumë pacientë “të dyshuar” me COVID se sa pacientë të diagnostikuar.

“Një nga maksimat e para që na kanë mësuar profesorët në fakultet ka qënë se “pa diagnozë, nuk ka mjekim”. Kuptohet se paqartësia në vendosjen e diagnozës së COVID, e cënon procesin e përkujdesjes për shëndetin dhe jetën e pacientëve”.

Sipas ekspertit Dasho, përveç implikimeve për shëndetin e pacientëve, “situata ka implikime edhe për shëndetin publik si në nivel individi, ashtu edhe në nivel popullate”.

“Në nivel individi, nuk dihet në se, pas shërimit, këta persona e kanë kaluar apo jo COVID-in gjë që ka rëndësi për strategjitë parandaluese në të ardhmen.

Në nivel komuniteti apo popullate, njohja e statusit lidhur me COVID tek këta pacientë ka rëndësi për të vlerësuar përhapjen e COVID në popullatë dhe orientuar gjurmimin”.

Ndërkaq, Dasho flet dhe për testin e kryer vonë, pasi virusi ka kaluar në mushkëri dhe tamponi nxjerr një përgjigje false.

“Shumë ekspertë jashtë qeverisë kanë fajësuar Ministrinë për cilësinë e dobët të testeve. Ata kanë argumentuar se testet me besueshmëri të ulët kanë sjellë në pikën kur testimi nxjerr më tepër fals negativë (persona të prekur nga COVID që testi nuk i identifikon dot) se sa realisht pozitivë (persona të prekurtesti i identifikon si të tillë).

Ditët e fundit kanë qarkulluar edhe idetë se pacientët janë paraqitur me shumë vonesë pranë spitaleve COVID, kur virusi ka “migruar” tashmë nga fyti (aty ku e identifikon testi i tamponit) drejt mushkërive’.

Dasho thekson se në këtë moment nuk duhet kryer më tamponi, por testi i antitrupave.

“Në të dy rastet është e pakuptueshme se përse nuk përdoret testi i antitrupave i cili ka shumë gjasa të identifikojë antitrupa IgM duke nisur nga fundi i javës së parë të sëmundjes, atëherë kur edhe mendohet se mund të jetë negativizuar tamponi.

ËSHTË KOHA QË TË MENDOHET SERIOZISHT PËR DIAGNOZËN E SAKTË DHE TË BESUESHME TË PACIENTËVE TË PREKUR OSE TË DYSHUAR SI TË PREKUR ME COVID.

KJO JO VETËM NË DOBI TË TYRE, POR EDHE NË DOBI TË KOMUNITETIT DHE GJITHË POPULLSISË!”
Shtuar më 11/08/2020, ora 10:49

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori