Në komision tenderash vetëm jetimët
Albeu.com
Zinxhir kufizimesh për ata që merrem me prokurime. Nëpër rrethe s’duhet të jesh i afërm me asnjë drejtues të institucioneve lokale. Nëse të takon të jesh anëtar i një komisioni tenderash, varianti më i mirë për të qenë i qetë me veten por dhe në rregull me shtetin është të jesh jetim, fillikat i vetëm e pa familje.Zinxhiri i gjatë i kufizimeve të vendosura nga qeveria për lidhjet familjare, vecanërisht për institucionet lokale, duket se do të shkaktojë një kaos në gjetjen e njerëzve për t’u caktuar anëtarë të komisioneve për prokurimet. Për më tepër e gjitha kjo situatë, për cdo njeri normal që ka dhe ndonjë të afërm në këtë botë, mund t’i kushtojë dhe vendin e punës ndonëse mund të zbatojë me korrektësi ligjin.
Kjo gjetje mjaft origjinale ndodhet në udhëzimin e qeverisë të propozuar nga Kryeministri Sali Berisha, për një shtesë në udhëzimin “Për prokurimin publik”. Në udhëzim thuhet se punonjësi i një enti prokurimi, largohet nga puna nëse ai nuk ka bërë deklarime të vërteta rreth lidhjeve të tij familjare, të krushqisë apo gjinisë, me personat në pushtet, pavarësisht “ligjshmërisë apo rregullsisë së veprimeve të tij në tender”. Në këtë rast, shihet qartë se ligji është nën udhëzimin e Kryeministrit, duke përbërë një sfidë reale për atë që vetë kryeministri e ka cilësuar si busullën e qeverisë: konceptin e shtetit ligjor. Vendimi parashikon skualifikim të drejtpërdrejtë të personave me lidhje me pushtetin, të cilët mëtohet se mund të përdorin ndikimin e këtyre lidhjeve apo atyre familjare, për të përfituar në mënyrë të kundërligjshme, ose për të favorizuar subjekte të lidhura me pushtetin në vendimmarrjen e komisioneve. Personat e caktuar, ushtrojnë përgjegjësitë si anëtar të njësisë së prokurimit a të komisionit të vlerësimit të ofertave, vetëm kur kanë plotësuar dhe depozituar më parë pranë titullarit të entit, formularin e lidhjeve familjare me pushtetin. Plotësimi i formularit do të kryhet për çdo tender dhe formulari administrohet dhe vendoset në ruajtje, së bashku me dokumentacionin e prokurimit.

Përjashtimi
Udhëzimi i klasifikon personat e ngarkuar me detyra shtetërore në dy kategori. Në kategorinë e parë, hynë funksionarë shtetërorë të zgjedhur apo të caktuar në detyrë, të cilët ushtrojnë autoritetin e tyre brenda të gjithë territorit të vendit dhe si të tillë, mund të ndikojnë tek personat e lidhur me ta, pavarësisht vendndodhjes së entit prokurues. Në këtë kategori hynë Presidenti, Kryeministri, Zëvendëskryeministri, Ministrat dhe zëvendësit e tyre së bashku me stafet e tyre politike. Udhëzimi përfshin në “listën e zezë” të kategorisë së parë edhe deputetët, titullarët e institucioneve si: Avokati i Popullit, KLSH, Prokuroria e Përgjithshme; Drejtuesin e Policisë së Shtetit etj. Komisionerët që kanë lidhje nepotike me personat që mbulojnë funksione të tilla, do të jenë të përjashtuar nga entet prokuruese në të gjithë vendin.

Diferencimi
Udhëzimi parashikon edhe një kategori të dytë ku bëjnë pjesë funksionarë apo të zgjedhurit, të cilët ushtrojnë përgjegjësitë brenda territoreve të caktuara dhe sjellin pengesa për të qenë anëtarë të komisionit, vetëm nëse enti prokurues ushtron veprimtarinë e tij brenda qendrës ku personi me pushtet ushtron përgjegjësit e tij ligjore. Ky kategorizim sipas hartuesve, ka qenë i domosdoshëm, pasi në bashki apo qarqe pushteti i personave është i konsiderueshëm për entet prokuruese brenda të njëjtit territor, ndërsa jashtë territorit, lidhja nepotike me ta nuk sjell asnjë lloj ndikimi.

Largimi
Punonjësi i një enti prokurimi largohet nga puna, nëse ai nuk ka bërë deklarime të vërteta në lidhje me lidhjet nepotike, pavarësisht ligjshmërisë apo rregullsisë së veprimeve të tij në tender.


Pengesat
në prokurime
Rrethi familjar
d)familjare: bashkëshort/bashkëjetues, bir/bijë dhe fëmijët e tyre;
e)të gjinisë: prindër, motër a vëlla dhe fëmijët e tyre, emtë a ungj;
f)të krushqisë: prind, fëmijë, vëlla, motër i/e bashkëshortit, si dhe bashkëshort/bashkëjetues i fëmijëve,

Lidhje e afërta me:
a)Presidentin e Republikës dhe stafin e tij politik;
b)Kryeministrin, zëvendëskryeministrin, ministrat dhe zëvendësministrat;
c)Anëtar të stafit politik të Kryeministrit;
ç)Deputet;
d)Titullar të institucioneve: Avokati i Popullit, Kontrolli i Lartë i Shtetit, Prokuroria e Përgjithshme;
dh) Titullar të institucioneve qendrore të pavarura;
e)Titullar të institucioneve qendrore në varësi të Kryeministrit;
ë)Drejtues të Policisë së Shtetit dhe zëvendësin i tij;
f)Kryetar Bashkie, kryetar të këshillave bashkiak apo të këshillit të qarkut, për ente prokuruese me vendndodhje brenda njësisë së bashkisë ose qarkut;
g)Prefekt, kryetar të gjykatës së rrethit gjyqësor të shkallës së parë, prokuror të rrethit gjyqësor, drejtor të policisë së qarkut, për entet prokuruese me vendndodhje brenda njësisë së bashkisë ose qarkut;
gj) Prokuror pranë prokurorisë së gjykatave të shkallës së parë, për ente prokuruese për të cilat për shkak të vendndodhjes, prokurori ka kompetencë territoriale të fillojë, ushtrojë, apo mbarojë hetimin.

Detyrimi
Personat ushtrojnë përgjegjësitë si anëtar të njësisë së prokurimit a të komisionit të vlerësimit të ofertave, vetëm kur kanë plotësuar e depozituar më parë, formularin e lidhjeve nepotike me pushtetin.
nga Armando Meta, Gazeta Shqiptare
Shtuar më 28/01/2006, ora 12:10
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori