Në dy vjet, 28 deputetë u larguan nga parlamenti
Me vullnet të lirë, për vendime politike apo të arrestuar për krime serioze, dhjetëra deputetë janë larguar nga parlamenti që nga fillimi i legjislaturës, ndërkohë që ideja fillestare e ndarjes së mandateve ka prodhuar efektin e kundërt.

Pranverën e vitit 2013, kryeministri Edi Rama propozoi se ministrat e kabinetit të tij do të jepnin dorëheqjen nga mandati i deputetit, në mënyrë që të krijonin "një ekuilibër të ri dhe më shumë kontroll parlamentar ndaj ekzekutivit".

Dy vjet më vonë, pak vëzhgues besojnë që kontrolli i legjislativit ndaj pushtetit të qeverisë është forcuar; por megjithatë afërsisht 20 për qind e të zgjedhurve të popullit në zgjedhjet parlamentare të 21 qershorit 2013 janë larguar nga Kuvendi.

Të dhënat e mbledhura nga BIRN tregojnë se28 deputetë kanë dhënë dorëheqjen, mes të cilëve 17 janë ministra të kabinetit “Rama”. Zëvendësimi i tyre në Kuvendin e Shqipërisë solli një fluks të ri dorëheqjesh dhe telashe shtesë për kreun e ekzekutivit me deputetët e rinj.

Përgjatë dy viteve, mazhoranca humbi deputetin Arben Ndoka, i cili e siguroi me vështirësi mandatin e tij falë dorëheqjeve të Mimi Kodhelit, qëu emërua në postin e ministres së Mbrojtjes dhe dy grave të tjera në listën e qarkut të Lezhës.

Ndoka u detyrua gjithashtu të japë dorëheqjen,pasi u vendos në qendër të akuzave të opozitës për shkak të publikimit të vendimit se ai ishte dënuar në Itali për shfrytëzim prostitucioni.

Dy deputetë të tjerë të mazhorancës, Mark Frroku dhe Armando Prenga ndodhen nën arrest, ndërkohë që vazhdimësia e mandatit të tyre pritet të përcaktohet me një vendim të Gjykatës Kushtetuese.

Mark Frroku, ish aleat i kryeministrit Rama është arrestuar për llogari të drejtësisë belge, pas akuzave të përfshirjes së tij në një vrasje në vitin 1999.

Në të njëjtat rrethana, legjislativi do të përballet edhe me rastin Prenga, i cili është arrestuar pasi akuzohet se qëlloi një shtetas me armë. Ekspertët thonë se rasti “Frroku” do të shërbejë si precedent edhe për rastin Prenga.

Studiues të politikës besojnë se vendimi për ndarjen e mandateve ishte një akt simolik, që në realitet dha efektin e kundërt. Kreu i Institutit të Studimeve Strategjike, Afrim Krasniqi mendon se ky vendim i kryeministrit Rama dobësoi dukshëm pozitën e ministrave dhe futi në parlament personazhe të dorës së dytë, pa peshë në jetën parlamentare dhe atë publike të vendit.

“Shumica e tyre janë anonimë, pa identitet politik dhe rezultat i rastësisë,” argumenton Krasniqi.

Ai mendon gjithashtu se eksperimenti dështoi të prodhonte-siç u premtua-më shumë demokraci.

“Prodhoi më pak demokraci dhe më shumë pushtet të përqendruar tek lideri dhe partia,” thotë ai për BIRN. /Lindita Çela, BIRN/
Shtuar më 26/10/2015, ora 20:46
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori