Ne Doganen e Kosoves, asgje ne rregull
Albeu.com
Ashtu edhe si herëve të tjera, auditorët s`kanë gjetur gati asgjë në rregull në Doganat e Kosovës, për vitin 2009. Shkelje në ligjet e prokurimit, dhënie të kontratave pa miratim të APP-së, ndryshim të bazës doganore pa pikë arsyeje, mosarkëtim të ndëshkimeve dhe shkelje të tjera.
Ndërsa shkeljet e ATK-së, kryesisht kanë të bëjnë me menaxhimin e pasurive dhe mungesën e kontrolleve të brendshme.


Në gjithë resorët ku kanë të bëjnë me prokurim dhe ligje, drejtuesit e Doganave të Kosovës i kanë bërë me shumë shkelje dhe parregullsi. Problemet e tyre në këta resorë janë të papërmirësueshme.

Raporti i Auditorit Gjeneral ka gjetur në masë të madhe shkelje procedurale të Doganës gjatë vitit 2009.

Më me pak keqpërdorime e ka kaluar vitin Administrata Tatimore e Kosovës. Edhe aty janë gjetur shkelje, por jo në atë masë të Doganës.

Dogana tash sa kohë zë vendin e parë për raporte me grumbull shkeljesh.

Auditori është nisur prej shkeljeve të mungesës së një kornize ligjore gjithëpërfshirëse, e cila u krijon atyre hapësirë për interpretime të ndryshme ligjore dhe të rregullave brenda organizatës. Kjo u mundëson atyre t`iu qasen problemeve pa bazë të fuqishme ligjore.

Në anën tjetër, edhe mosarkëtimi i ndëshkimeve të shqiptuara është paraqitur si problem nga Auditori.

Obligimet tatimore me rastin e importimit të mallrave dhe mungesa e dëshmive mbi asgjësimin e mallit janë dëshmi tjetër e një kontrolli jo të mirë rreth procesit të mbledhjes së të hyrave.

“Kjo krijon mundësinë dhe rrit rrezikun e keqpërdorimit të pasurisë dhe parasë publike”, thuhet në raportin e Auditorit Gjeneral. Gjatë vitit 2009, në trembëdhjetë raste, subjektet ekonomike përdoruese të depove doganore nuk kishin raportuar te njësia për monitorim të depove doganore për disa muaj.

Ndërsa në njëzetepesë raste të tjera, raportimi ishte bërë me vonesë. Auditori veçon një importues, i cili ka tejkaluar dukshëm kufirin e vlerës së stokut të lejuar për mbajtje nga 3.300.000 euro sa duhej të mbajë në depo, në 4.159.923 euro. Shkelja tjetër e Doganës, sipas këtij raporti, është nënshkrimi i dy kontratave shtesë me dy operatorë ekonomikë për servisim të automjeteve, me të cilët kontrata është nënshkruar para se të aprovohet nga Agjencia e Prokurimit Publik.

“Si rezultat i dosjes joadekuate të tenderit, Dogana ka lejuar mundësinë që vetë OE-ja të përcaktojë se çka duhet riparuar e çka jo në automjetet e Doganës, duke lënë mundësinë që vetë OE-ja të jetë përcaktues i shërbimeve që do të kryhen. Prandaj, janë pranuar shërbime të servisimit me specifikacione të bazuara në faturat e OE-së”.

Auditori rrëfen edhe për një kontratë tjetër për furnizim me gjëra të zyrës, të cilës nuk i janë përmbajtur asnjëra palë. Menaxhmenti i Doganës nuk ka siguruar që në komisionet e përgatitjes së specifikacionit teknik të angazhohen anëtarë me njohuri të arsyeshme në fushën e shërbimeve që janë synuar për prokurim.

“Kjo mund të dërgojë deri te përzgjedhja e OE-së jo më të favorshëm ekonomikisht, kontrata jo e plotë si dhe deri te nevoja për kontraktimin e shërbimeve shtesë”, thuhet në raport. Shkelje të madhe, raporton auditori, edhe për ndryshimet e bazës doganore të 18 mijë e 776 dokumenteve unike doganore.

“Te 96 DUD-a kemi vërejtur se edhe pse u është ndryshuar vlera fillestare, në TIMS nuk janë lënë kurrfarë gjurmësh se cilat kanë qenë kriteret për rivlerësimin e bazës doganore”.

Në vend të gjurmëve mbështetëse, doganierët kanë vendosur shenja të ndryshme të pikësimit ose shifra të ndryshme të pakuptueshme.

“Gjurmë të tilla mungojnë edhe në dosjet fizike të DUD-ave”. Raportohet se këto mund të shkaktojnë moshyrje reale të të hyrave në buxhetin e Doganës.

ATK-ja pak më në rregull

Administrata Tatimore e Kosovës e ka kaluar më me pak shkelje dhe keqpërdorime vitin 2009. Raporti i Auditorit Gjeneral tregon se kjo administratë nuk i është përmbajtur sistemit të kontrollit të brendshëm që përfshin menaxhimin adekuat të procedurave dhe sistemit të mbledhjes së tatimeve.

Me këto moskontrolle mundësohen manipulime dhe zvogëlim i të hyrave. “Mosprocesimi i duhur dhe me kohë i deklaratave tatimore të tatimpaguesve nuk ka dhënë gjendje të saktë të tyre dhe kjo mund të ndikojë në vlerësim joreal të gjendjes së parapagimeve apo obligimeve të mundshme të tatimpaguesve”, raporton auditori.

Auditori paraqet si shkelje, edhe dosjet e personelit të ATK-së që nuk janë azhurnuar në përputhje me ndryshimet periodike që ndodhin. “Masat e tanishme të kontrollit të brendshëm në kuadër të ATK-së nuk janë sipas standardeve dhe praktikave më të mira në ofrimin e sigurisë së mjaftueshme se organizata ka realizuar misionin dhe objektivat e saj”.

Është paraqitur edhe moszbatimi i plotë i rregullave të prokurimit, i cili ka vënë në dyshim transparencën e shpenzimit të parasë publike dhe kryerjen e shërbimeve kualitative. Kjo lë mundësi të përdorimit jo të drejtë të parasë publike.

Menaxhmenti i kësaj administrate s`ka arritur të krijojë parakushtet e nevojshme për një sistem efektiv të menaxhimit me kontrolle të brendshme adekuate, e as përputhshmëri të pritur në bazë të kornizës ligjore të aplikueshme.

“Dobësitë në realizimin e buxhetit, sistemin për kontroll të brendshëm dhe funksionin e procedimit të të dhënave në sistemin SIGTAS, tregojnë se ATK-ja duhet të marrë hapa të nevojshëm për përmirësimin e gjendjes së menaxhimit të të hyrave dhe të bëjë përpjekje të mëtutjeshme në realizimin e buxhetit në mënyrë më efektive”.

Auditori i Përgjithshëm i ka nxjerrë gati të gjitha institucionet me shkelje, gabime, keqpërdorime dhe mosrespektim të ligjeve. (express)
Shtuar më 15/07/2010, ora 10:34
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori