“Ne dëgjuam krismat dhe klithmat e shqiptarëve”
Albeu.com
Janë ekzekutuar dje pak para mesditës me nga një plumb në kokë në një rrugë në kufi në mes të provincës së Kandaharit dhe të Helmandit në jug të Afganistanit katër shqiptarët nga Maqedonia të cilët janë marrë peng të shtunën nga lëvizja talebane.Kështu njoftoi dje për News 24 zëdhënësi I talebanëve Youssuf. Një ngjarje në të cilën kanë qenë të pranishëm edhe disa nga pengjet afgane të liruara më pas. Atë kanë dëgjuar krismat e armëve por nuk mund të konfirmojnë vrasjen e pengjeve. “Kemi dëgjuar klithmat e tmerrshme të shqiptarëve dhe të shtënat por nuk mundëm të shihnim asgjë pasi i kishim sytë të lidhur”,-tha pasi ishte liruar njëri nga pengjet afgane. “Na ndanë nga shqiptarët e tjerë” -vazhdon afgani I liruar. “Ata që na kapën ishin një grup prej njëzet burrash të armatosur dhe të veshur si policë. Na zunë rrugën dhe na ndaluan”, përfundoi tregimin i shokuar një nga pengjet afgane të liruara më vonë. “Dëgjonim klithmat e tyre, por nuk mund t’i shihnim se i kishim sytë e lidhura”, vazhdon pengu i liruar.
Në fakt rreth orës 13:30 të orës lokale tonës talebanët kanë dhënë lajmin e eleminimit dhe të ekzekutimit të pengjeve shqiptare në Kandahar. Sipas tyre, ata janë eleminuar pasi u pushkatuan me armë zjarri, sepse kanë qenë mbështetës të amerikanëve dhe të politikës së tyre në Afganistan, deklaruan talebanët, pa thënë ndërkohë identitetin e tyre, I cili deri në fund ka mbetur enigmë për tu zbuluar. Në fakt deri në momentin e fundit të mbrëmjes së djeshme radio Dojçe Vele ka publikuar lajmin se njëri nga pengjet ishte gjerman, gjithnjë sipas deklarimeve të talebanëve të cilët deklaronin se I kishin ekzekutuar katër civilët e pafajshëm.
Ndërkaq, po dje, trupat e ISAF (forca ndërkombëtare që vepron në Afganistan) njoftuan se kanë bërë kërkime në gjithë zonën mes Kandaharit dhe Maiwandit, pa gjetur megjithatë asnjë nga trupat e të vrarëve.
Edhe kompania Ekolog konfirmoi lajmin e vrasjes së katër pengjeve. Që nga ky moment në Tetovë dhe në Shkup është rritur alarmi dhe tensioni për identitetin e punëtorëve fatkeqë të masakruar nga terroristët talebanë. Në mbrëmje një nga një kanë mbërritur edhe emrat e tyre duke shuar shpresat e të afërmve. Pengu i parë është nga Tetova dhe quhet Besim Aliu, pengu i dytë Sabi Tahiri, është një shqiptar nga kryeqyteti i Maqedonisë Shkupi, të dy familjarë dhe njerëz hallexhinj. Kobi dhe ankthi ka mbërthyer qytetet shqiptare dhe familjarët e atyre që janë në Afganistan duke punuar teksa prisnin dy emrat e tjerë. Rreth orës 20 ka mbërritur edhe identiteti i viktimës së tretë, i cili quhet I. Zejnuni dhe po ashtu si dy të tjerët ishte një i emigruar që kishte shkuar në Afganistan jo “për të përkrahur amerikanët”, por problemet ekonomike që kishte në familje. Nata ka pllakosur bashkë me zinë nga Afganistani i largët në pritje të identitetit të viktimës së katërt.
nga Ilir Kulla, G. Shqiptare
Shtuar më 14/03/2006, ora 08:53
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori