Në Bushat sharrohet kryqi, dyshime për përzierje të Shërbimit Sekret Sërb
Albeu.com
Ditën e Bajramit sharrohet kryqi, policia dyshon në dorën e shërbimeve serbe. Myftinia reagon duke kërkuar kapjen e autorëve ndërsa SHISH thotë se ishte në dijeni.Akti i dëmtimit të një kryqi të vendosur pak javë më parë në një nga kodrat dominuese në zonën e Bushatit dyshohet të jetë vepër e personave që kanë lidhje me Shërbimet Inteligjente Sërbe. Një funksionar i lartë i Policisë së Shkodrës, që nuk pranoi të bëjë public emrin e tij, tha për “Gazetën” se “ky dyshim është një nga pistat prioritare për hetimin e kësaj çështjeje”. Drejtoria Rajonale e Shërbimit Inteligjent Shqiptar ka patur informacione të siguruara në rrugë operative qysh një muaj më parë, se një akt i tillë mund të ndodhte. Por nuk mendohej se do të realizohej kaq shpejt një incident i tillë. “Autorët e këtij akti kriminal mund të kenë përdorur si koperturë për të kamufluar gjurmët e tyre dhe konfliktin që ka patur ditët e fundit Myftinia e Shkodrës me drejtuesit e komunitetit katolik për vendosjen e kryqeve dhe për rikonstruksionin e një objekti kulti në kalanë e Rozafës, thotë burimi”.
Një kryq i tillë, i ngjashëm me kryqin e vendosur në malin e Zef Janës, praën prabë fshatit Rranxave, me veshje fosforeshente për tu dalluar dhe gjatë natës, është vendosur në një kodër tjetër dominuese në zonën e Malësisë së Madhe. Ai ndodhet në afërsi të fshatit Zagorë, vetëm disa kilometra larg kufirit me Malin e Zi. Burimi i cituar tha se ka mundësi që “celula të shërbimeve sekrete të fqinjëve veriorë po tentojnë të krijojnë vatra tensioni për të spostuar vëmendjen nga situatat mjaft të rëndësishme për të ardhmen e rajonit”.
Zbulimi i autorëve të këtij akti kriminal që synon provokimin e besimtarëve katolikë dhe nxitjen e një konflikti me komunitetin musliman të zonës do të hidhte dritë mbi motivin e vërtetë të vendosjes së kryqeve dhe më pas dëmtimit të tyre. Shenja e parë u dha që dje, kur një numër besimtarësh të besimit katolik, thanë për Gazetën se do ta rivendosnin menjëherë kryqin në të njëjtin vend. Madje ata paralajmëruan dhe se u kërkonin besimtarëve të besimit tjetër që të mos e përsërisnin një veprim të tillë.

Ngjarja
E kanë sharruar dhe më pas e kanë rrëzuar kryqin e vendosur në majë të kodrës. Pastaj e kanë tërhequr me litarë për ta hedhur përtokë. Në njërën nga faqet metalike të kryqit ishin shkruar fjalët “Më keq”, por askush nuk ka ditur të japë shpjegim për atë çfarë kanë dashur të thotë personi që e ka shkruar.
Incidenti i rëndë ka ndodhur pikërisht në ditën e festimit të Kurban-Bajramit, vetëm pak orë pas përfundimit të vizitës së presidentit të Republikës, Alfred Moisiu në Myftininë e Shkodrës. Ngjarja e cila ka tronditur gjithë komunitetin katolik të këtij rrethi ka ndodhur rreth orës 15.30 në komunën e Bushatit. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Shkodrës bëjnë të ditur se kanë qenë dy persona ata që kanë rrëzuar kryqin e vendosur në majën e kodrës së Zef Janës, por ata ende nuk janë identifikuar. Sipas bluve, prerja e hekurave të bazamentit të kryqit është bërë me gur fresibël. Besimtarë katolikë të kësaj zone ishin të parët që verifikuan ngjarjen e rëndë dhe që lajmëruan më pas edhe policinë. Myftinia e Shkodrës ka reaguar menjëherë duke u distancuar nga ky veprim dhe duke dënuar ngjarjen dhe autorët e mundshëm të saj. Ata kanë kërkuar që ky problem duhet të zgjidhet në rrugë institucionale dhe se shteti duhet të gjejë e të dënojë autorët e krimit. Vetëm dy muaj më parë përfaqësues të Myftinisë së Shkodrës kërkuan publikisht që të hiqen të gjithë kryqet që ishin vendosur në majë të disa kodrave në zonat përreth qytetit të Shkodrës.

Dy të panjohurit
Disa fëmijë që po luanin në këtë kodër kanë parë dy persona që janë ngjitur në drejtim të vendit ku ishte vendosur kryqi. “Isha duke luajtur me shokët e mi, kur vura re se kryqi po rrëzohej. Më parë kishim parë dy persona që u ngjitën në majë të kodrës, por nuk na shkoi mendja se ata do të rrëzonin kryqin”, ka deklaruar në polici 15–vjeçari Konrad Nika. Menjëherë fëmijët kanë lajmëruar banorët e fshatit, e më pas edhe policinë. Të shokuar nga ky veprim ata janë shprehur se ata që kishin vënë dorë tek kryqi kishin kryer një gabim të madh. Shumë prej tyre janë lutur, duke thënë: “Fali o Zot, se nuk dinë se çfarë bëjnë”, por duke besuar se autorë të saj mund të jenë besimtarë të fesë muslimane.

Hetimi
Mes morisë së banorëve të fshatit Rranxa të mbledhur në kodrën e “Zefjanës”, policia ka kryer veprimet e para hetimore. Ata pohojnë se hekurat e bazamentit të kryqit ishin sharruar me gur fresibël. Po të njëjtat burime shprehen se autorët e krimit pasi kanë bërë sharrimin e hekurave të bazamentit ku ishte vendosur kryqi, e kanë rrëzuar atë përdhe me litar. Blutë kanë vënë re se në njërën anë të kryqit ishin shkruar fjalët: “Më keq”. Por sipas policisë këto fjalë nuk mund të shpjegojnë shumë gjëra për momentin, pasi mund të ishin shkruar edhe më parë. Ndërkaq, efektivat e Drejtorisë së Policisë së Shkodrës po punojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Banorët
Vetëm dy orë pas rrëzzimit të kryqit, banorët e fshatit Rranxa të komunës sëq Bushatit, kanë marrë gjeneratorë dhe materiale të tjera e kanë nisur punën për ringritjen e kryqit në kodrën e “Zef Janës”. Ata janë shprehur se kryqi për ta është i shenjtë dhe se do e ringrejnë atë.

ELBASAN
Një vit më parë në fshatin Fikas të Elbasanit u vendos një kryq gjigant buzë rrugës nacionale Elbasan-Qafë Kërrabë. Myftinia e Elbasanit dhe komuniteti mysliman i zonës, kërkuan heqjen e këtij kryqit. Në konflikt u përfshi dhe komuna e Bradasheshit, e cila kishte dhënë leje për ngritjen e simbolit të katolikëve. Disa persona tentuan rrëzimin e kryqit, duke e dëmtuar atë.

SARANDE
Një kryq gjigand u ndërtua verën e vitit të shkuar në territorin e Parkut të Butrintit. Lejen e miratimit për ndërtimin e kësaj vepre kulti e dha Këshilli i Komunës së fshatit Zarë. Autoritetet e Parkut negociuan me besimtarët ortodoksë, të cilët këmbëngulnin në ndërtimin e tij. Ky objekt u prish disa muaj më pas.

Kisha-Xhami
Në tetor të vitit të kaluar, Ambasada Amerikane dha 30 mijë euro për rikonstruksionin e Kishës së Shën Stefanit në Shkodër. Myftinia e Shkodrës deklaroi se fondi për rikonstruksionin e këtij objekti të kultit që ndodhet në kalanë e “Rozafës” në kishë-xhami, t’i kalohej një objekti tjetër. Drejtues të Myftinisë pohuan që objekti në pronësi të tyre të ngelej ashtu siç ishte.
Gazeta Shqiptare
Shtuar më 11/01/2006, ora 10:51
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori